Live

Hulumtimi për dhunën ndaj grave, nga 50 aktgjykime vetëm 5 persona me dënim efektiv

12:35 / 20 Mars 2023

Nga Kosova Live

Mbi 260 ditë është mesatarja e trajtimit të një rasti të dhunës në familje. Nga momenti i kryerjes së kësaj vepre penale deri në shpalljen e aktgjykimit në shkallë të parë, gjyqësori merr kohë më shumë se tetë muaj në trajtimin e rastit.

Kështu u tha në konferencën e organizuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore me temën “Konventa e Stambollit: Forcimi i zbatimit në përfundimin e dhunës ndaj grave, dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore”.

Hulumtuesja nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Arrita Rezniqi tha se rastet e kësaj natyre po trajtohen më shpejt se rastet tjera.

“Ka pasur raste kur kemi identifikuar që aktakuza është ngritur në ditën e parë, në raste tjera kemi parë që aktakuza është ngritur 746 ditë pas kryerjes se veprës penale. Rastet e kësaj natyre trajtohen më me shpejtësi se rastet tjera. Përkundër këtij efikasiteti, kërkojmë që të ketë akoma më shumë mundësi që të trajtohen më shpejt”, u shpreh ajo.

Ajo shtoi se kanë analizuar 50 aktgjykime, ku prej tyre 37 kanë pasur dënime me kusht. Ndërkaq për vetëm pesë persona ka pasur dënim efektiv.

E drejtoresha e Qendrës, Luljeta Demolli tha se kanë hasur në vështirësi në komunikim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani përmes një video ka thënë se miratimi i konventës ka shënuar vetëm një hap dhe se ka shumë punë për t’u bërë për të zbatuar.

Edhe ambasadori i BE-së, Tomas Szunyog tha se dhuna ndaj grave është akoma realitet në Kosovë.

“Sigurimi i lirisë nga të gjitha dhunat është zotim i Bashkimit Evropian. Konventa e Stambollit njihet gjerësisht si instrumenti më i gjerë. Kosova ka bërë progres në ndryshimet ligjore. Strategjia kundër dhunës së grave është shembull tjetër. Por, realiteti në terren ende nuk është i kënaqshëm… ka ende për t’u bërë dhe për të përmirësuar në reagimin institucional”, ka deklaruar Szunyog. /KP/



Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...