Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media, të martën e 21 marsit.
Në këtë konferencë për media Hyseni ka paraqitur tri raste që sipas tij janë bërë keqpërdorime dhe keqmenaxhime të pasurisë publike.
Ai tha se nuk janë marrë me të kaluarën, ‘por as nuk e kanë harruar atë’.
Për rastin e parë, Hyseni ka deklaruar se ka të bëjë me diferencën mes faturave të paraqitura dhe gjendjes faktike të inventarit në QKMF, ndërkaq për dy rastet tjera theksoi se kanë të bëjnë me shpronësimet.
“Rasti i parë ka të bëjë me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF). Ndërtimi i objektit të ri të QKMF-së është edhe nisma e keqpërdorimeve brenda këtij institucioni. Përveç fazës së ndërtimit, lidhjes së kontratave edhe kundërligjshëm edhe me përmbajtje që dëmtojnë buxhetin e komunës edhe ashtu të varfër, keqpërdorime janë bërë edhe në fazën e blerjes së inventarit dhe furnizimit të objektit të ri”, ka thënë kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.
“Rasti i dytë: Është shkelje e keqpërdorim në vlera milionëshe. Kemi të bëjmë me shpronësimin e tokave nga komuna e Gjilanit dhe organi shpronësues, që në këtë rast është Kryetari i Komunës. Nga 26 milionë euro që është vlera totale e borxheve të trashëguara, vetëm në shpronësim, i kemi gjithsej 11 milionë euro. Ndërkohë që kjo vlerë, çdo ditë është në rritje sepse kemi raste që po paraqiten tek ne edhe tani”, ka vijuar Hyseni.
Derisa duke folur për rastin e tretë, Hyseni ka thënë se “në vitet 2017, 2019, 2020 dhe 2021 vlera totale e vendimeve për shpronësim është 11,838,296.50 euro, ndërsa planifikimi nga qeverisja e asaj kohe, për shpronësim, ka qenë vetëm 3,998,673.57 euro. Pra, diferenca mes vendimeve për shpronësim dhe planifikimit buxhetor për shpronësim është 7,238,472.08 euro”./Telegrafi/