Në Gjykatën e Prishtinës sot ishte paraparë që tërë ditën të dëgjohen dëshmitarët për rastin e njohur si 53-milionëshi, ku të akuzuar janë ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe tre zyrtarë të tjerë.
Mirëpo edhe pse raste si këto duhet të trajtohen me prioritet nga gjykata, kushtet në Pallatin e Drejtësisë nuk e mundësuan këtë.
Seanca filloi ashtu siç ishte paraparë, mirëpo pas 1 orë e 30 minuta, gjyqtarja e rastit, Violeta Namani, u detyrua që të shtyjë seancën për një datë tjetër për shkak të temperaturave të ulëta në sallën e gjykimit.
“Seanca e sotme nuk mund të vazhdojë për shkak të temperaturave të ulëta në sallë” – tha gjyqtarja Violeta Namani në seancë.
Gjatë kohës sa u mbajt seanca, Prokuroria filloi të marrë në pyetje dëshmitarin Ramë Qupeva, i cili punon në Ministrinë e Infrastrukturës si drejtor i departamentit për infrastrukturë rrugore.
Dëshmitari deklaroi se për rastin në fjalë, ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani Elezit, ka qenë menaxher i njësisë për implementimin e projektit.
Sipas dëshmitarit, është krijuar edhe komiteti ndërministror si autoritet me kompetenca për hartimin e strategjive për veprimet që do të ndërmerren për ndërtimin e autostradës.
Në pyetjen e prokurorit se a kanë marrë pjesë, pjesëtarët e njësisë në mbledhjet e komitetit, dëshmitari deklaroi se saherë kanë pranuar ftesë kanë qenë prezent, mirëpo sipas tij nuk është e domosdoshme prezenca e tyre në ato takime.
“Njësia ka marrë pjesë në takime por jo gjithmonë, kur kemi marrë ftesë kemi shku kur nuk kemi marrë ftesë s’kemi shku, këtë e ka vlerësu komiteti, prezenca jonë nuk ka qenë e domosdoshme” – tha dëshmitari Ramë Qupeva.
Intervistimi i këtij dëshmitari mbeti në gjysmë për arsye të të ftohtit në sallën e gjykimit.
Ish-ministri Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në Autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.
Me veprimet e tyre ata akuzohen se buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38.321.346.00 euro.
Sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.
Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.
Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.
Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.
Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.
Vendimin për ndarje të kësaj shume e kishte nënshkruar në atë kohë Ramush Haradinaj sa ishte në krye të Qeverisë.
Pallati i Drejtësisë ka pasur vazhdimisht probleme me ventilim e ajrosje. Në fillim të këtij muuaji, objektit shumëmilionësh të Pallatit të Drejtësisë filluan t’i vendosen dritaret. Xhamat statikë të cilët ishin vendosur në kohën e ndërtimit të tij, nisën të zëvendësohen me dritare.
Vendosja e këtyre dritareve fillimisht nisi të bëhet në objektin A, ku është e vendosur Gjykata Themelore e Prishtinës dhe Gjykata e Prishtinës.