Live

I kishte mbijetuar një sulmi me çekiç, kritiku i madh i Ramzan Kadyrovit raportohet se është vrarë në Suedi

13:40 / 05 Dhjetor 2022

Nga Denis Fana

Blogeri çeçen Tumso Abdurakhmanov, një kritik i zëshëm i Ramzan Kadyrov me bazë në Suedi, është raportuar i vrarë gati një javë pasi u zhduk.

“Tumso u qëllua natën nga një grup njerëzish”, ka thënë lëvizja opozitare çeçene 1ADAT në një postim në mediat sociale të hënën, duke cituar “rrjetin e saj të informatorëve” në Evropë dhe Çeçeni, shkruajnë mediat e huaja.

Megjithatë, autoritetet suedeze nuk kanë komentuar ende raportet për vrasjen e Abdurakhmanov.

Por siç vënë në pah mediat, aleatët e Abdurakhmanov thanë se ai dhe vëllai i tij nuk u janë përgjigjur thirrjeve dhe mesazheve që nga e enjtja e kaluar.

Ai dyshohet se u qëllua për vdekje atë natë, tha Radio Svoboda, një degë në gjuhën ruse e organizatës amerikane të lajmeve Radio Evropa e Lirë/Radio Liberty (RFE/RL), duke cituar bashkëpunëtorët e tij.

Ndërkohë 1ADAT pretendoi se vëllai i Abdurakhmanov, Muhamedi ishte “fshehur nga shërbimet e inteligjencës”.

Abdurakhmanov, 36 vjeç, i mbijetoi një sulmi me çekiç në Suedi në vitin 2020, për të cilin ai pretendonte se ishte urdhëruar nga brenda Rusisë.

Një gjykatë suedeze dënoi një të dyshuar mashkull në atë sulm me 10 vjet burg dhe një të dyshuar femër me tetë vjet.

Mediat suedeze raportuan se Abdurakhmanov jetonte i fshehur në Suedi që nga viti 2019 pasi iu refuzua azili në Poloni.

Ai kishte jetuar në mërgim që nga viti 2015 për t’i shpëtuar asaj që ai e kishte përshkruar si kërcënim për jetën e tij në Çeçeni, një rajon jugor rus i sunduar nga njeriu besnik i Kremlinit, Kadyrov.

Kadyrov, i cili është akuzuar për shkelje të gjerë të të drejtave, i ka etiketuar anëtarët e opozitës “armiq të popullit”.

Abdurakhmanov postonte rregullisht video shumë kritike për Kadyrov në kanalin e tij në YouTube, i cili ka gati gjysmë milioni abonentë.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...