Imami Behar Mjekiqi është denoncuar të mërkurën për dhunë ndaj të dashurës së tij, me inicialet E.J. (emër i njohur për redaksinë).
Pasditen e djeshme, kreu i Bashkësisë Islame në Obiliq dyshohet se e ka larguar viktimën, me të cilën kishte lidhje dashurie, me dhunë nga shtëpia e tij në fshatin Mazgit. Dyshohet se e ka shtyrë, e ka rrëzuar në tokë dhe e ka tërhequr atë zhagas drejt oborrit të shtëpisë.
Derisa e kishte nxjerrë me dhunë nga shtëpia, imami Mjekiqi ia kishte marrë telefonin viktimës E.J. duke i shkaktuar lëndime në të dy duart.
Detajet e këtij incidenti shpjegohen në një dosje zyrtare të Policisë së Kosovës, të cilin e ka siguruar Paparaci. Dosja e përpiluar në ditën kur kishte ndodhur ngjarja përshkruan sjelljen e dhunshme të imamit Mjekiqi ndaj viktimës.
Raporti konstaton se E.J. është shqiptare, shtetase e Maqedonisë së Veriut, dhe me të njëjtën imami nga Obiliqi është në lidhje dashurie prej disa vitesh dhe të dy “kanë jetuar me njëri-tjetrin kohë pas kohe”. Mjekiqi e ka pranuar para hetuesve policorë se është në lidhje me viktimën E.J. qe së paku tre vjet. Viktima, ndërkaq ka thënë se lidhja e tyre është e gjatë së paku gjashtë vjet.
Sipas raportit, E.J. kishte ardhur në shtëpinë e imamit Mjekiqi në Mazgit të Obiliqit të dielën më 18 dhjetor.
Në ditën e tretë të qëndrimit në shtëpinë e imamit, ajo është larguar me dhunë nga shtëpia, thuhet në raportin informues të Policisë së Kosovës. Imami Mjekiqi, i intervistuar nga policia të martën, e ka pranuar se e ka larguar viktimën nga shtëpia. Ka mohuar të ketë përdorur dhunë ndaj saj.
Mjekiqi, po ashtu ka thënë se ndihet i kërcënuar nga E.J.
“Më tutje i dyshuari pohon se arsyeja pse unë dua ta largoj nga shtëpia është se ndihem i kërcënuar nga E.J. sepse me ka kërcënuar se do ta kalli shtëpinë, do ta mbys djalin”, thuhet në raportin e policisë për rastin.
Siç shpjegohet në raport, E.J. ka thënë se imami Mjekiqi, gjatë kohës kur e kishte larguar dhunshëm nga shtëpia, e kishte marrë revolen e tij në dhomën ajo ndodhej, mirëpo nuk “është kanosur nga i dyshuari”.
Policia ka konstatuar se i dyshuari posedon autorizim për mbajtje të armës.
Pas intervistimit në Stacionin e Policisë në Obiliq, me urdhër të prokurorit kujdestar Musa Mehaj, imami Behar Mjekiqi është liruar në procedurë të rregullt.
Paparaci, ka mësuar nga burime brenda Prokurorisë dhe Hetuesisë, se komandanti Sejdi Zeqiri ka manipuluar prokurorin kujdestar.
Sipas burimeve të Paparacit brenda Prokurorisë dhe Hetuesisë, komandanti Zeqiri i ka sugjeruar prokurorit Mehaj për mbylljen e rastit me arsyetimin se mungojnë elementet e veprës penale të dhunës dhe e ka transportuar personalisht viktimën E.J. drejt Maqedonisë së Veriut.
I pyetur nga Paparaci nëse ka pasur të drejtë të transportojë viktimën drejt Maqedonisë së Veriut, komandanti Sejdi Zeqiri ka thënë se viktima është kthyer për në shtëpinë e saj në Maqedoninë e Veriut me veturën e saj.
“Unë nuk jam në dijeni për një gjë të tillë dhe nuk e besoi vetëm nëse ka urdhnu prokurori. Ajo është përcjell deri në Autostradën e Mazgitit dhe ka shkuar me veturën e saj. Unë nuk kam urdhëruar as me çu as mos me e çu as që kam ditur për këtë temë”, ka thënë Zeqiri.
“Rreth orës 19:00 ka ardhur në stacion me veturë xhip i zi targat e Shkupit! Ajo ka ardhur me veturë personale dhe është kthyer me veturë personale”, ka thënë tutje komandanti policor i Stacionit në Obiliq.
Sipas dosjes të cilën e ka siguruar Paparaci, e dëmtuara nuk ka dëshiruar strehim sepse “ka dëshiruar të shkoj te familja e saj në Maqedoninë e Veriut”.
Me urdhër të prokurorit kujdestar Musa Mehaj, rasti është iniciuar në drejtim të veprës penale “dhunë në familje”.
Paparaci, ka kërkuar të enjten sqarime për ngjarjen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk ka marrë përgjigje nga organi i akuzës.