Presidenca e Kosovës ka thënë se institucionet e Kosovës vlerësojnë nëse duhet të shtyhet data e zgjedhjeve në veri të vendit.
Në një përgjigje për Gazetën Express, këshilltari i Presidentes, Bekim Kupina, ka thënë se nëse vjen ndonjë kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve, Presidentja Osmani do t`i ftojë subjektet politike për konsultime dhe më pas do ta marrë vendimin.
“Vlerësimi për shtyrjen e datës së zgjedhjeve i takon institucioneve të Republikës së Kosovës në bazë të kritereve specifike. Sipas praktikës së deritanishme, Presidenca mund të vihet në veprim vetëm pas vlerësimit të tillë nga institucionet kompetente të sigurisë dhe pranimit të kërkesës për shtyrjen e zgjedhjeve nga KQZ-ja. Presidenca është në kontakt të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe nëse vjen një kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve, sipas praktikave të Komisionit të Venedikut, Presidentja Osmani do t`i ftojë subjektet politike për konsultime dhe më pas do ta marrë vendimin”, ka thënë Kupina.
Pas incidenteve të djeshme në veri të vendit, sot ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka thënë se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve dhe se për këtë janë të shqetësuar.
“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë ata që janë të përfshirë të tregojnë vetëpërmbajtje”, ka thënë Hovenier.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, më herët tha se institucionet e Republikës së Kosovës kanë treguar gatishmërinë për të ofruar kushtet e nevojshme për mbarëvajtje të zgjedhjeve, derisa tha se zgjedhjet janë manifestim i fuqishëm i demokracisë.
“Pengimi apo pamundësimi i tyre është sulm ndaj demokracisë. Pas dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave në veri të vendit, mbajtja e tyre tashmë është obligim kushtetues i institucioneve të Republikës. Qytetarët tanë atje kanë nevojë për përfaqësim direkt të tyre. Institucionet kanë nevojë për drejtues legjitim të tyre. Bandat kriminale mund edhe mos të marrin pjesë në zgjedhje, por ato nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve demokratike. Aktet e dhunës dhe veprimet kriminale duhet të dënohen njëzëri”.