Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se reshjet e shiut pritet që të vazhdojnë edhe gjatë ditës së nesërme.
Sipas IHMK-së reshjet do të shtohen në Dukagjin, pastaj edhe në pjesën Veriore, Qëndrore, Jugore dhe Lindore e vendit.
“Reshjet e shiut të cilat kanë filluar nga sot datë 18/11/2022, pritet që të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, të cilat do të shtohen gjatë pasdites së shtune datë 19/11/2022 deri të hënën me datë 21/11/2022 me intensitet dhe shtrirje të ndryshme territoriale. Më të theksuara do të jenë nëpër disa pjesë të Kosovës, sidomos në Dukagjin (Gjakovë, Junik, Deçan, Pejë, Istog, Klinë, Malishevë, Rahovec), pastaj pjesa Veriore, qendrore, jugore edhe ajo lindore e vendit”- thuhet në njoftim.
Këto reshje, IHMK-ja thotë se mund të krijojnë kushte për vërshime të shpejta të cilat mund të shkaktojnë vështirësi tek rrjedhat lumore.
“Këto reshje mund të krijojnë kushte për vërshime të shpejta, (efekti flash flood), të cilët mund të shkaktojnë vështirësi dhe probleme, sidomos tek rrjedhat lumore me karakter malorë në formë të rrëkeve të shpejta, duke shkaktuar rrëshqitje të dheut, mbyllje të sistemit të kanalizimeve dhe vështirësi në qarkullim”- njofton IHMK.