Live

Ish-ministri i Brendshëm: Serbia mund t’i viktimizojë qytetarët serbë që t’i shtyjë bisedimet për statusin final

08:52 / 11 Nëntor 2022

Nga admin

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka thënë që qeveria serbe i ka inkriminuar disa qytetarë në Mitrovicën Veriore të cilët e kanë ndërlikuar situatën në atë pjesë.

Mustafa ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se Serbia mund t’i viktimizojë qytetarët serbë në veri në mënyrë që t’i shtyjë bisedimet që sjellin statusin final midis Kosovës dhe Serbisë.

“Situata momentale në Kosovë është pak e ndërlikuar për shkak të brishtësisë në pjesën veriore të Mitrovicës veriore pasi aty ka të bëjë me disa qytetarë janë të inkriminuar nga Qeveria e Serbisë dhe i zbatojnë urdhrat direkte nga presidenti Vuçiq”, ka thënë Mustafa.

“Serbisë nuk i konvenon një moment i tillë të ulet në tavolinë me probleme të tilla, por me probleme teknike krijon ekcese. Ne duhet të jemi vigjilentë sepse Serbia mund t’i viktimizojë qytetarët serb në veri, të shkaktojë probleme teknike, në mënyrë që të prolongojë sa më gjatë bisedimet të cilat e bien statusin final ndërmjet dyja shteteve”.

Mustafa ka thënë që çështja e targave është zgjidhur në vitin 2011, ndonëse kishte munguar implementimi i tyre, teksa ka thënë që në tavolinën e bisedimeve nuk do të duhej të përfshihej edhe dialogimi për targat.

“As Asociacioni e as targat nuk janë problem që Serbia, por ato janë vetëm në mënyrë deklarative. Kosovës i konvenon që të bisedojë dhe t’i zgjidhë problemet politike. Ato teknike zgjidhen kur përfundojnë problemet politike”.

“Problemi i targave nuk ka qenë dashtë të jetë në tavolinën e bisedimeve, sepse kjo është zgjidhur në vitin 2011. Nuk kemi mundur t’i implementojmë për shkak të problemeve të cilat i kanë shkaktuar grupet kriminale të inkriminuara nga Serbia”.

Mustafa ka shtuar se Kurti do të duhej ta shtynte afatin e kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare, ndonëse thotë se ishte kundër një shtyrje të tillë.

“Unë e kam thënë se nuk është dashur të shtyhet por pasi që ndërkombëtarët kanë insistuar 10 muaj afat, atëherë është dashur të jepet ky afat, sepse edhe pas kësaj kohës, gjendja do të ishte e njëjtë”, thotë Mustafa.

Shpërndaje në

U Kopjua