Dritan Hamza nga Rahoveci, njëri nga të apostrofuarit prej Nikolla Manitasheviqit, të vëllait të të dyshuarit për krime lufte nga Hoça e Madhe e Rahovecit, Lubisha Manitasheviqit, ka mohuar pohimet e tij para mediave në Beograd, ku po protestonte me serbë të tjerë nga Kosova kundër vendimit të Hungarisë për ekstradimin e tij në Kosovë, se ka tërhequr akuzën kundër tij.
Ky, pra Dritani, që ai e ka quajtur gabimisht me mbiemrin Hoxha, njëri nga tre të plagosur me katër plumba, i kontaktuar ndërkohë nga Koha.net ka thënë se nuk është e vërtetë që ka hequr dorë nga akuza kundër Lubisha Manitasheviqit, i cili në qershor të vitit 1999 e qëlloi këtë me 4 plumba në pjesë të ndjeshme të trupit, siç tha – rreth zemrës, kurse dy të tjerë – Daim Nurkasën dhe Selami Abazibrën i plagosi më lehtë.
Ai, siç thotë Dritani, ishte i shoqëruar nga KFOR-i holandez, ndërsa unë isha i veshur civil, kështu që i vëllai i tij, Nikolla, trillon se ishim të veshur me uniformë të UÇK-së dhe se donim ta kidnaponim.
Po ashtu thotë se ishte shëruar në Bond Steel, ndërsa salla e operacionit ka qenë në Lipjan.
I pyetur pse e kishte braktisur Policinë e Kosovës, ai tha se ky ka qenë një vendim i tij vullnetar.
“Vetë kam kërkuar të lirohem, e meqë nuk kam marrë përgjigje – nuk kam shkuar një kohë më të gjatë në punë, për pasojë automatikisht është ndërprerë statusi i të punësuarit”, tha ai.
Ai nuk ka dashur të tregojë se me çfarë merret aktualisht.