Edhe të mërkuren, pranë Gjykatës Speciale po vazhdon seanca e dëgjimit të dëshmitarit 6 në gjyqin ndaj ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala i njohur ndryshe si “Ujku”.
Shala e ka nisur seancën e sotme në mënyrë virtuale pasi dje u largua i nervozuar dhe në mënyrë demonstrative nga seanca për shkak të disa vërejtjeve që i ka bërë publike sot avokati i tij, Jean-Louis Gilissen.
Avokati Gilissen është shprehur se dje Shala e dëgjoi seancën, por gjykata e humbi Shalën dhe kjo për arsye se ai dëshiron të jetë i pranishëm, por ka pasur vërejtje për disa arsye.
Avokati ka shpjeguar se Shala ka qenë në gjendje të vështirë fizike për shkak të problemeve shëndetësore pasi ka kuptuar nga të afërmit e tij se nuk po mund t’i përcjellin seancat plotësisht pasi pjesa më e madhe e tyre nuk janë publike.
“Ishte shumë e vështirë të flisje me të, dhe dje humbëm, sikurse Shala nuk e dëgjoi seancën, por edhe gjyqësori e humbi z. Shalën, edhe ai duhet të jetë dhe dëshiron të jetë i pranishëm dhe ai më shpjegoi dhe jam shumë i ndjeshëm, dhe është delikate, më dha arsyen pse, ai e vlerëson që jemi të gjithë profesionistë dhe duhet ta mendojmë nga një pikëpamje më e gjerë, ai më tha që ai ndjeu ,për të mirë ose për të keq dhe ishte e vështirë për te që po dëgjonte gjëra që nuk po thuheshin në publik, ju garantoj që ai është në dijeni për respektimin e masave mbrojtëse, ndjesia e tij ishte e tillë sepse ai pati kontakt me ish-partneren në Belgjikë dhe disa miq, dhe këta i thanë se nuk e përcjellim dot seancën, s’e kuptojmë çfarë po ndodh, është seancë me copa dhe për publikun është e vështirë të kuptojnë çfarë po ndodh, ky është informacion shumë interesant, të gjithë ne këtu e dimë që duhet të respektojmë dhe mbrojmë dëshmitarët, është kusht për gjykim të drejtë, por z. Shala, i cili ka probleme me zemrën dhe ka pasur kriza kardiake, ishte vërtetë nervoz sepse pasi pati këtë kontakt me të njohurit, i krijoi njëfarë ndjesie të pakëndshme sepse e kuptoi se nuk po e ndiqte publiku, nuk ishte publike”, tha avokati mbrojtës.
Më tutje në parashtresën e tij, avokati mbrojtës ka thënë se është çështje e rëndësishme dhe parim i gjykatës që seancat të jenë publike.
“Ai shpjegoi shumë gjëra dhe Shala nuk është i paditur, ai ka plot dijeni, është i mençur dhe unë e kuptova ato që shpjegoi ai, ato që ndjeu ai, lidhur me seancën, nuk është çështja të kritikojmë këtu, nuk jemi këtu për këtë, por shkon përtej kësaj, sepse pasi pata bisedën me të, pas mbrëmjes, unë pata autorizim ta takoj në burg, sepse ishte jashtë orarit zyrtar të vizitave dhe unë ndoqa transkriptin dhe në fakt , besoj se z. Shala ka të drejtë, kemi një problem në këtë pikë, kur shohim se si ka shkuar, por e respektoj, dua ta theksoj, e respektoj vendimin, por është për të ardhur keq se e humbëm z. Shala, sepse ai dëshiron të jetë i pranishëm, ai nuk u tërhoq se kishte frikë nga dëshmitaret, apo sepse nuk i mbështeste ato, jo jo, nuk ndjehej fare mirë, dhe kur e takuam, ishte e vështirë të komunikonim me të sepse kishte probleme fizike dhe unë mendoj me gjithë respektin tuaj, më duhet t’iu them që ne duam ta keni parasysh këtë parashtrim, e di që në Belgjikë janë përpjekur disa persona ta ndjekin seancën, por nuk kanë arritur.”, tha avokati.
Prokurorja e rastit ndërkohë është shprehur se e kupton faktin për proceset publike, por se duhet të merret parasysh edhe konfidencialiteti dhe siguria e dëshmitarëve.
“Jo, unë kisha një aspekt tjetër, por mbase shkurtimisht mund të flas për këtë. Ne e kemi parasysh këtë për proceset publike dhe jemi përpjekur sa më shumë që dëshmitarët t’i marrim në pyetje në publik ne e kuptojmë se ka qenë gjithë kohen e mundur kjo dhe do të bëjmë të pamundurën të mos e përsërisim këtë.”, tha ajo.
Pas saj, fjalën e ka marrë mbrojtja e viktimave për çfarë është shprehur se gjyqi duhet t’i mbrojë dëshmitarët dhe se prioritet absolut duhet të ketë siguria dhe mbrojtja e viktimave.
“Sigurisht që Gjykata kërkon të gjejë ekuilibër mes interesave për një gjyq të drejtë dhe të mbrojë dëshmitarët, dhe kjo nuk do të jetë asnjëherë e mundur që jetë publike gjatë gjithë kohës, por prioriteti absolut është siguria dhe mbrojta e atyre që vijnë për të dhënë dëshmi këtu dhe nëse kjo kërkon seanca private, atëherë ashtu qoftë dhe më vjen keq, por ky është produkt i realitetit, realiteti i Kosovës dhe kjo është një temë që është përmendur shumë herë nga gjykatës të ndryshëm edhe nga dëshmitarë në këtë gjykatë, këtë duam të themi.”, tha mbrojtësi i viktimave.
Më pastaj, ka vazhduar diskutimi i avokatit të Shalës i cili është shprehur se parimi duhet të jetë që seancat të jenë publike, pasi një gjyq për të qenë i drejt duhet të jetë publik dhe kjo është një garanci.
“Duam të jemi të kujdesshëm dhe të kemi dijenie e të jemi të ndërgjegjshëm që seanca në gjykim është delikat, është më shumë se aq. Nuk po përpiqem të jap leksione, në këtë e dimë që mund të themi të jemi të kujdesshëm, por ka kufi, një gjyq për të qenë i drejt duhet të jetë publik, prioriteti është një proces publik, është garanci, por sigurisht duhet të jemi të kujdesshëm sa i përket aspektit të sigurisë me informacionin, identifikimin, të dhënat identifikuese për dëshmitarët dhe sigurinë e tyre. Me gjithë respektin, parashtroj dhe e theksoj këtë, seancat publike janë garanci për gjykimin dhe në kundërshtim me mbrojtësin e viktimave, unë them kjo është një gjë shumë e rëndësishme, këtu do të gjejmë ekuilibrin, është delikate, punë e vështirë për ju dhe ne, për palët pjesëmarrëse në proces, por nuk duhet të harrojmë parimet dhe parimi është seanca publike.”, tha avokati mbrojtës.
Krejt në fund, gjyqtarja është shprehur se duhet gjetur ekuilibri midis këtyre dy pikëpamjeve dhe gjykata duhet t’i ketë parasysh të gjitha rrethanat.
“Faleminderit z. Avokat, është pikë e rëndësishme kjo, edhe dje, edhe pardje, ka qenë një nga prioritetet tona që të kishim sa më shumë seanca publike, por ne si trup gjykues duhet të gjejmë ekuilibrin mes të drejtave të akuzuarit dhe nga ana tjetër, sikurse u tha duhet të kemi parasysh mbrojtjen e dëshmitarit dhe në po përpiqemi të bëjmë të pamundurën që aty ku mundemi seancën ta kemi publike, u kam çuar udhëzime palëve, çdoherë të kenë parasysh nëse mund ta parashtrojnë në seancë publike ose private, në ditën e parë u përpoqëm që sa më shumë të kemi seancë publike dhe patëm shumë redaktime shkaku i kësaj dhe besoj pjesë e kundra pyetjeve u bënë në seancë private dhe kjo është nga arsyet pse të martën u kërkuam të gjitha palëve që të ishin të kujdesshëm për pyetjet nëse duhet t’i bënin në seanca publike ose private dhe kjo duhet të jetë kështu.”, tha gjykatësja.
Ajo në fund tha se nëse konstatohet që ka pjesë nga transkripti që mund të riklasifikohen si publike, kjo do të ndodh.
“E përsëris, në pikëpamjen tonë dhe bazuar në ligj, prania e z. Shala në këtë sallë gjyqi është ajo që ne parapëlqejmë dhe i drejtohem dhe mbrojtjes, diskutoni edhe njëherë me z. Shala zgjedhjen e tij, por sigurisht mund të marrë pjesë në distancë, në të njëjtën mënyrë siç do të mund të merrte pjesë fizikisht dhe pyetja është a mund ta zgjedhimin mungesën e këtij ekuilibri në këtë mënyrë, ne po bëjmë të pamundurën që t’i kemi sa më shumë publike seancat dhe ne po përpiqemi të japim sa më shumë udhëzime për palët në këtë drejtim. Është përgjegjësi edhe e juaja të vlerësoni këtë, dhe jo vetëm për procesin, por të keni parasysh edhe sigurinë e dëshmitareve, është vështirë në këtë proces. Nëse e kuptojmë se një pjesë e transkriptit që është bërë në privat mund të klasifikohet si publike, ne do t’i ri-klasifikojmë si publike.”, tha në fund gjykatësja.