Klinika e Kirurgjisë Torakale është pajisur të enjten me aparaturë të teknologjisë së fundit për realizimin e operacioneve kirurgjikale. Ministri në dorëheqje i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se kjo aparaturë e re do të ndihmojë në ngritjen e shërbimeve mjekësore si dhe do të mundësojë trajtimin e pacientëve brenda QKUK-së.
Sipas tij më mungesë të kësaj aparature, të quajtur “Video Kirurgji e Asistuar”, pacientët kanë pagur deri në 30 mijë euro për intervenime jashtë institucioneve publike.
Ismali tha me këtë rast se pajisjet VATS dhe Bronkoskop kapin vlerën e 74 mijë eurove dhe ato do të rrisin shumë sigurinë e pacientëve në operacione, si do të mundësojnë rehabilitim më të shpejtë të tyre.
“Meqenëse operimet e tilla jashtë vendit sillen nga 25 deri në 40 mijë euro, ne kemi bërë një ndërhyrje që direkt prekë jetën e pacientëve dhe buxhetin e familjeve”, tha Uran ismaili me rastin e përurimit të këtyre pajisjeve.
“Duke luftuar korrupsionin ne kemi nisur të kthejmë shpresën dhe besimin e qytetarëve në sistemin tonë shëndetësor”, tha në fund Uran Ismaili.