Live

Jennifer Lopez dhe Charlize Theron bëhen hit në internet me reagimet e tyre pas kandidimit

17:21 / 14 Dhjetor 2019

Nga Kosova Live

Charlize Theron dhe Jennifer Lopez janë kandiduar për çmimet prestigjioze Screen Actors Guild (SAG), apo çmimet e shoqatës së aktorëve, ndërsa me reagimet e tyre e kanë mahnitur publikun.

“Si duket isha e tejngazëllyer për shkak të nominimit për çmimin e sivjetshëm SAG për rolin tim në ‘Bombshell’. Urime të gjithë njerëzve të mrekullueshëm. U jam shumë mirënjohëse që këtë rrugëtim e kam kaluar me juve”, shkroi Charlize në profilin e saj në Instagram dhe i bëri të gjithë të qeshin me videon që postoi.

Se ishte kandiduar për çmimet SAG këtë vit Charlize e zbuloi derisa ishte në shtrat, ndërsa të veshur e kishte vetëm një mantel mëndafshi.

Reagimi i saj e mahniti edhe Nicole Kidman, e cila shkroi se ky ishte reagimi më i mirë që e kishte parë.

E entuziazmuar për shkak të kandidimit ishte edhe Jennifer Lopez, e cila ishte plot me emocione, aq sa mezi mundi t’i përmbante lotët. Kandidimin për SAG Lopez e fitoi falë rolit të Ramonës në “Hustlers”, shkruan KOHA Ditore. Në video, të cilën ajo e postoi në Instagram, diva latine i falënderoi fillimisht kolegët e saj aktorë që njohën talentin e saj dhe e kandiduan.

“Faleminderit të gjithëve. Ndihem sikur kam fituar tashmë. Faleminderit SAG Awards. Shihemi atje”, tha Lopez me entuziazëm.

Shpërndaje në

U Kopjua