Nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, përgjatë vizitës së tij në SHBA për “Lutjet e Mëngjesit”, është takuar me zyrtarë të Departamentit amerikan të Tregtisë, ku ua ka bërë me dije synimin e tij: Që ta instrumentalizojë Qendrën e Skijimit në Brezovicë nëpërmjet kthimit të pronësisë së saj në Komunën e Shtërpcës.
Një gjë të tillë e ka njoftuar vetë Jevtiq në ‘Facebook’-un e tij, duke pretenduar se nëpërmjet kësaj do “t’i hapte rrugë investimeve publiko-private”, shkruan Demokracia.com.
Numri dy i Listës Serbe është takuar edhe me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të cilit ia ka kërkuar themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Jevtiq e njoftoi Escobarin edhe për problemet dhe presionet me të cilat ballafaqohet populli serb në Kosovë dhe theksoi se për shkak të retorikës së pushtetit aktual në Prishtinë ndaj serbëve dhe kriminalizimit të popullit serb, ka pasur tentativa për vrasjen e Stefan dhe Millosh Stojanoviqit. në Gotovushë, sulm ndaj të rinjve serbë në Kllokot, sulm ndaj serbëve në Suhadoll dhe në veri të Kosovës”, propagandohet në komunikatën e Listës Serbe.