Kryetari i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, beson se tani është koha e duhur “për t’i zgjidhur disa çështje dhe probleme të caktuara” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Zyrtari i Listës Serbe tha të mërkurën nga Zagrebi se dialogu nuk ka alternativë dhe se propozimi europian “nuk është i lehtë për asnjërën palë”.
“Ne kemi mundësi të jetojmë normalisht, pa presion politik dhe barrë politike. Gjithmonë theksoj se duhet ta mbështesim çdo proces, sado i vështirë të jetë, që do të sjellë paqe, stabilitet dhe jetë normale”, tha Jevtiq, raportojnë mediat serbe.
“Kohët e fundit isha në Washington dhe bisedova me të dërguarin special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe zyrtarë të tjerë dhe ndjeva një vendosmëri të madhe që Washingtoni duhet të hyjë në këtë proces me një qëllim shumë të qartë, që është ta ndalojë zvarritjen dhe të fillohet jo vetëm me marrëveshje, por me zbatimin e asaj që është rënë dakord”, tha Jevtiq.
Kur bëhet fjalë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Jevtiq tha se ai “nuk do të jetë monoetnik”.
“Asociacioni nuk do të jetë monoetik. E përmenda Shtërpcën, ka komuna të tjera ku jetojnë komunitete dhe popuj të tjerë, si Novobërda, Graçanica, Mitrovica, ku jetojnë shqiptarët, boshnjakët dhe popujt e tjerë”, theksoi Jevtiq.