Fakulteti Juiridik i Universitetit të Prishtinës ka mbështetur nismën që lulëkuqja me katër petale të bëhet një simbol zyrtar për përkujtimin e viktimave të gjenocidit serb në Kosovë.
Në një deklaratë zyrtare, Fakulteti Juridik thotë se përkujtimi i viktimave të gjenocidit na përket të gjithëve.
Ky është njoftimi i plotë:
Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës shprehë vlerësimin dhe mbështet nismën publike me qëllim të miratimit të lulëkuqes si simbol zyrtar për të kujtuar gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë. Përkujtimi i gjenocidit dhe mizorive të vuajtura nga popullsia civile në Kosovë është e rëndësishme për viktimat dhe të mbijetuarit e këtyre krimeve. Kjo na përket gjithsecilit!
Siç u shpreh dikur i mbijetuari i Holokaustit, e më vonë aktivisti i të drejtave të njeriut dhe nobelisti Elie Wiesel, “të harrosh një Holokaust është të vrasësh dy herë“, edhe në rastin tonë, përkujtimi u jep fytyra dhe emra shqiptarëve që humbën jetën nga krimet mizore të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Simboli i lulëkuqes i jep një prani simbolike viktimave të panumërta të mizorisë së gjenocidit.
Duke vlerësuar se e ardhmja e popullit tonë, determinohet edhe nga ndërtimi i memories kolektive për të kaluarën e krimeve të kryera, e gjenocidit në Kosovë, profesorët dhe i gjithë stafi i Fakultetit Juridik e mbështesin nismën dhe ftojnë institucionet e Republikës së Kosovës që të miratojnë lulëkuqen si simbol zyrtar e shenjë identifikuese për kujtimin e gjenocidit në Kosovë.