Drejtori i Policisë së Malit të Zi, Llazar Shqepanoviq, ka konfirmuar se dhjetë persona kanë mbetur të vrarë nga të shtënat në Cetinje.
Siç raporton “Vijesti”, Shqepanoviq ka deklaruar se i dyshuari për këtë krim të rëndë, Aco Martinoviq, i ka kryer këto vrasje në katër lokacione, përcjell Reporteri.net.
“Është një fytyrë e rrezikshme, e pamatur, brutale…”, ka qenë përshkrimi që i ka bërë ai të dyshuarit.
Sipas tij, Martinoviq kishte pirë gjatë gjithë ditës në tavernën ku ndodhi përleshja në orët e mbrëmjes. Më pas kishte shkuar në shtëpi dhe e ka marrë armën dhe është kthyer sërish në tavernë ku dyshohet se ka kryer vrasjet.
Ai ka shtuar se sipas të dhënave zyrtare, Martinoviq nuk ka armë në posedim.
Detaje rreth kësaj tragjedia ka dhënë edhe Ministri i Punëve të Brendshme i Malit të Zi, Danilo Sharanoviq.
Ai ka bërë me dije se i vdekur ka mbetur pronari i tavernës ku filloi përplasja dhe disa anëtarë të familjes së tij. Sharanoviq ka thënë se në mesin e viktimave janë edhe disa familjarë të të dyshuarit për këtë krim të rëndë, Aco Martinoviq.
“Të gjitha kapacitetet në dispozicion të administratës policore, në krye me drejtorin e Drejtorisë së Policisë, ndodhen në Cetinje me qëllim që të dyshuarit për këto vrasje t’i hiqet liria. Disa persona janë vrarë, duke përfshirë pronarin e lokalit dhe disa anëtarë të familjes së tij, si dhe anëtarëve të familjes së të dyshuarit për vrasje”, ka deklaruar Saranoviq.
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, e ka cilësuar këtë si “tragjedi të tmerrshme”, derisa ka njoftuar se ka shpallur tri ditë zie, më 2, 3 dhe 4 janar.
Ai tha se janë në kërkim të autorit dhe se janë në rrugën e duhur për gjetjen e tij.
“Tragjedia e tmerrshme na ka prekur të gjithëve. Tani për tani, të gjitha ekipet e policisë, gjithçka në dispozicion, janë në Cetinje. Po kërkojmë autorin, jemi në rrugën e duhur”, ka thënë Spajiq për transmetuesin publik malazez RTCG.