Live

Këshilltari i Pecit pranoi se vodhi vota, Cakolli: Manipuluesit s’kanë vend në institucione

21:31 / 24 Janar 2023

Nga Kosova Live

Anëtari i Institutit Demokratik të Kosovës (IKD), Eugen Cakolli ka reaguar lidhur me mosshkarkimin e deritanishëm të këshilltarit politik të ministrit Faton Peci.

Ky këshilltar, tashmë është dënuar nga Gjykata, pasi pranoi fajin për vjedhje votash, rreth 250 sosh.

Sipas Cakollit, manipuluesit nuk duhet të jenë në institucione. Veç kësaj, ai hodhi edhe kritika ndaj sistemit gjyqësor, duke shprehur pakuptueshmërinë e asaj se pse gjykatat nuk japin dënime plotësuese, që këtyre zyrtarëve t’ua ndalojë ushtrimin e funksionit.

“Manipulimi me vota është manipulim me vullnetin e qytetarëve. E manipuluesit e vullnetit qytetar nuk duhet të jenë pjesë e institucioneve publike dhe të paguhen me paratë e po atyre qytetarëve”, shkroi ndër tjerash ai.

Postimi i plotë:

Ministri Faton Peci e ka këshilltar politik një person që, në momentin e emërimit, ka pasur aktakuzë të ngritur për manipulim të rreth 250 votave – në një vendvotim të vetëm.

Ai nuk është shkarkuar ende, pavarësisht pranimit të fajësisë dhe dënimit nga Gjykata.

Manipulimi me vota është manipulim me vullnetin e qytetarëve. E manipuluesit e vullnetit qytetar nuk duhet të jenë pjesë e institucioneve publike dhe të paguhen me paratë e po atyre qytetarëve.

Edhe më i papranueshëm është fakti që gjykatat vazhdojnë të mos e shohin të nevojshme të shqiptojnë dënime plotësuese për t’ua ndaluar kryerjen e detyrave zyrtare, personave që kur e kanë pasur mundësinë, i kanë keqpërdorur ato.

Shpërndaje në

U Kopjua