Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjes e saj të radhës me fillim në ora 10:00 e ku janë marrë disa vendime të ndryshme, raporton Gazeta Blic.
Zyra për media e kryeministrit të Kosovës ka njoftuar për të gjitha vendimet që u morën gjatë mbledhjes së ekzekutivit në diten e sotme.
Njoftimi i plotë:
Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e 121-të në të cilën:
– U aprovua programi Legjislativ i Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2023, i cili parasheh që gjatë këtij viti qeveria do të përgatisë dhe procedojë 100 projektligje në Kuvendin e Republikës së Kosovës
– U miratua Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin për Lirinë Fetare me të cilin ndër të tjerash synohet të rregullohet Statusi Juridik i Bashkësive fetare në Kosovë.
– U emëruan anëtarët e Këshillit drejtues të Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve me përbërjen si në vijim:
1. Përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI):
1.Valbona Fetiu Mjeku;
2. Muhamer Ibriqi.
2. Përfaqësues i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve:
1. Ferdeze Agaj Mehmeti.
3. Përfaqësues i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë:
1.Valmira Sejdiu.
4. Përfaqësues i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve:
1. Leunora Zylfijaj Ahmeti.
5. Përfaqësues i ministrive tjera relevante:
1. Albana Sahiti Morina- Ministria e Shëndetësisë.
6. Përfaqësues të universiteteve:
1. Ramadan Duraku – Universiteti “Hasan Prishtina”- Prishtinë;
2. Driton Sylqa -Universiteti ” Haxhi Zeka” -Pejë.
7. Përfaqësues të organizatave të partnerëve socialë:
1. Besim Mustafa-Oda Ekonomike e Kosovës;
2. Bedri Xhafa- Oda Ekonomike Gjermano Kosovare.
8. Përfaqësues të OJQ-ve për arsim dhe aftësim:
1. Afrim Gjelaj- KIMERK/MIRECK.
9. Përfaqësues të ofruesve të arsimit dhe aftësimit nga sektori privat:
1. Driton Hapçiu -Cacttus Education.
10. Përfaqësues për nxënësit me nevoja të veçanta:
1. Rrustem Gashi-Handikos.
– U aprovua kërkesa për bartje të së drejtës së shfrytëzimit dhe ndryshimit të shfrytëzuesit të parcelave kadastrale që ndodhën në Komunën e Rahovecit, Kramovik dhe Petkovic, në dobi të interesit publik për periudhë tridhjetë (30) vjeçare, me qëllim të rritjes së kapaciteteve energjetike me burime të ripërtëritshme.
– U miratua kërkesa për shpronësim të pronave në Kryshevc të Komunës së Obiliqit dhe në Fushë Kosovë për ndërtimin e Parkut me Panele Solare me kapacitet prej 100 MW.
– U bë plotësim-ndryshimi i Vendimit të Qeverisë Nr. 11/68 të datës 23.03.2022 për formimin e Komisionit për Kontrollin e Tregtisë me Mallra Strategjike. Me këtë vendim ndryshohet dhe plotësohet pika 2 e vendimit, sipas të cilës Muhamet Thaçi nga Ministria e Mbrojtjes zëvendësohet me nënkolonel Fidaim Elshanin. Gjithashtu Elmaze Pireva nga Ministria e Punëve të Jashtme zëvendësohet me Shkëlzen Morinën po nga kjo ministri.
– U bë gjithashtu, plotësim-ndryshimi i Vendimit të Qeverisë Nr. 10/104, të datës 10.08.2016, sipas të cilit ndryshim, Zenel Leku caktohet kryetar i Komisionit.
– U miratua Koncept-dokumenti për Akademinë e Drejtësisë i cili analizon funksionimin e Akademisë së Drejtësisë. Sipas koncept-dokumentit rekomandohet hartimi i Ligjit të ri për Akademinë e Drejtësisë e cila do të funksionojë e pavarur dhe do të udhëhiqet nga një Këshill Drejtues i pavarur që do të emërohet sipas Ligjit.
– U miratua nisma për negocimin e Marrëveshjes së Bashkëfinancimit ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, e përfaqësuar nga Sekretariati Shtetëror për Çështje Ekonomike për Projektin “Qëndrueshmëria Klimatike në Sektorin e Ujit në Kosovë”
– U miratua nisma për negocimin e Amendamentit të “Marrëveshjes së Partneritetit, Tregtisë dhe Bashkëpunimit” ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ky amendament i Marrëveshjes do të zbatohet në prokurimin e aktiviteteve të shërbimeve shëndetësore klinike të financuara nga fondet publike dhe është në përputhje edhe me ndryshimet ligjore në këtë fushë në Mbretërinë e Bashkuar.
– U miratua edhe ndryshimi i pasqyrave të ndarjeve buxhetore në Ligjin për Buxhetin 2023, në mënyrë që të sigurohet shlyerja e detyrimeve financiare të organizatave buxhetore ndaj operatorëve gjatë vitit 2022.
– U miratuan pasqyrat e përgjithshme financiare të shpenzimit të Buxhetit për vitin e kaluar, që do t’i paraprijnë Raportit të përgjithshëm të realizimit dhe shpenzimit të buxhetit 2022.
– U vazhdua shtesa prej 50 euro për muajin janar për punëtorët e sektorit publik, në kuadër të Pakos së Përballjes me Inflacionin, sikurse u vazhdua shtesa për punëtorët shëndetësorë edhe për muajin janar.
– U miratua vendimi i ri për Masat emergjente ne furnizim me energjinë elektrike, të ngjashëm me vendimin e kaluar.
– U miratua Projektligji për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar.
– Në fund, u miratua dhe vendimi përfundimtar për shpronësim për realizimin e projektit të “Varrezave të Qytetit” në Komunën e Podujevës.