KFOR-i, sot rreth orës 12:00 nisi largimin e dy kamionëve të bllokuar, që ishin pjesë e barrikadave në veri, përtej fshatit Grabovc, Komuna e Zveçanit, përkatësisht te vendi i quajtur “Përroi i Zhazhës”.
Dhjetëra automjete të rënda të KFOR-it larguan dy kamionët.
Kështu, shumë shpejt do të hapet rruga alternative që lidh fshatin Zhazhë të banuar me shqiptarë me Zveçanin, përkatësisht Mitrovicën.
Edhe Policia e Kosovës po asiston në këtë operacion.
Misioni i KFOR-it në Kosovë, para dy ditësh ka kryer disa operacione inxhinierike në veri të vendit, duke i larguar nga rruga automjetet e bllokuara që kanë mbetur në atë pjesë.
Ndryshe, të enjten e 29 dhjetorit në veri të vendit serbët kanë larguar barrikadat e vendosura nga bandat kriminale në veri të vendit, por aty kanë mbetur disa kamionë të djegur nga vetë ata.
Ndërsa, vendosja e tyre është bërë për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb nga Policia e Kosovës, Dejan Pantiq, i cili ditë më parë është dërguar në arrest shtëpiak.