Live

Kina dhe India braktisin Rusinë, i bëjnë thirrje Putinit ta ndalë luftën në Ukrainë

16:23 / 25 Shtator 2022

Nga Kosova Live

Kina dhe India kanë bërë thirrje për një fund të negociuar të luftës në Ukrainë në Kombet e Bashkuara, duke mos dhënë mbështetje për aleaten tradicionale, Rusinë, shkruan AL Jazzera.

Pas një jave presioni në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ministri i Jashtëm i Rusisë Sergej Lavrov bëri kritika ndaj vendeve perëndimore për atë që ai e quajti një fushatë “groteske” kundër rusëve.

Por asnjë komb i madh nuk është mbledhur pas Rusisë, përfshirë Kinën, e cila vetëm disa ditë përpara pushtimit të Ukrainës në shkurt, premtoi një lidhje “të pathyeshme” me presidentin Vladimir Putin.

Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, i bëri thirrje Rusisë dhe Ukrainës që “të parandalojnë përhapjen e krizës” dhe të mos prekin vendet në zhvillim.
Kina mbështet të gjitha përpjekjet për zgjidhjen paqësore të krizës në Ukrainë. Prioriteti i ngutshëm është lehtësimi i bisedimeve për paqe. Zgjidhja themelore është adresimi i shqetësimeve legjitime të sigurisë të të gjitha palëve dhe ndërtimi i një arkitekture sigurie të balancuar, efektive dhe të qëndrueshme”, tha Wang.

Gjatë vizitës së tij në OKB, Wang u takua me Ministrin e Jashtëm të Ukrainës Dmytro Kuleba në bisedimet e tyre të para që nga fillimi i luftës.

Në fillim të këtij muaji, Putin pranoi “shqetësimet” kineze për Ukrainën gjatë një takimi me homologun e tij Xi Jinping.

India, ndryshe nga Kina, ka një marrëdhënie të ngrohtë me Shtetet e Bashkuara, por ka lidhje historike me Rusinë, furnizuesin e saj tradicional të mbrojtjes.

“Ndërsa konflikti në Ukrainë vazhdon të përshkallëzohet, ne shpesh na pyesin se në anën e kujt jemi. Përgjigja jonë, çdo herë, është e drejtë dhe e sinqertë, India është në anën e paqes dhe do të qëndrojë e vendosur atje. Ne jemi në anën që thërret për dialog dhe diplomaci si e vetmja rrugëdalje”, tha ministri i Jashtëm i Indisë, Subrahmanyam Jaishankar.

Shpërndaje në

U Kopjua