Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar Kitaroviq, mohoi të ketë deklaruar se Bosnja dhe Hercegovina është shtet i paqëndrueshëm dhe nën kontrollin e islamit militant. Ajo ka thënë t’u ketë shprehur autoriteteve izraelite dëshirën e saj për ta parë Bosnjën dhe vendet e tjera të rajonit të anëtarësuara në Bashkimin Evropian.
Gazeta izraelite, “Jerusalem Post”, ka raportuar se Grabar Kitaroviq, e cila po viziton Izraelin ka thënë se Bosnja dhe Hercegovina “është shumë e paqëndrueshme dhe se në disa aspekte e kanë marrë përsipër njerëz të lidhur me Iranin dhe organizata terroriste”.
Autorja e tekstit të diskutueshëm në “Jerusalem Post”, gazetarja Greer Fay Cashman, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se, Grabar Kitaroviq nuk i ka përmendur autoritetet në Bosnje.
“Presidentja e Kroacisë nuk ka folur për Iranin. Ajo e ka përmendur Iranin me një fjalë të vetme, të lidhur ngushtë me migrantët, që paraqiten si refugjatë dhe që në disa raste janë të lidhur me elemente të pakëndshme. Ajo nuk i ka përmendur autoritetet në Bosnje dhe vërejtjet e saj që lidhen me Iranin dhe terroristët u referohen vetëm disa migrantëve që kanë gjetur rrugën deri në Bosnje”, ka shkruar Cashman në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.
E pyetur nga gazetarët nëse deklaratat e pretenduara janë të vërteta, Grabar Kitaroviq u përgjigj: “Absolutisht jo”!
Ajo ka thënë t’iu ketë shprehur autoriteteve izraelite dëshirën e saj për ta parë Bosnjën dhe vendet e tjera të rajonit të anëtarësuara në Bashkimin Evropian.
“Nuk kam dhënë intervista dhe nuk u kam dhënë deklarata gazetarëve përveç dy konferencave për shtyp”, tha presidentja kroate.