Ministri Faton Peci njoftoi më në fund sot se Enis Osmani nuk do të ishte më pjesë e kabinetit të tij në cilësinë e këshilltarit pas një periudhe të gjatë refuzimi që ta përballonte realitetin se ai ishte dënuar për falsifikim rezultatesh.
Osmani edhe e kishte pranuar fajësinë për falsifikimin e rezultateve në fshatin Bare të Mitrovicës.
Por, për nga pasuria tashmë ish-këshilltari i Pecit del se qëndron mjaft mirë.
Në bazë të deklarimit të pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, ai ka thënë që e posedon një tokë me vlerë 600 mijë euro, një mal me vlerë 100 mijë euro, një shtëpi në vlerë 80 mijë euro dhe një banesë të blerë personalisht më 2016 me vlerë prej 50 mijë euro.
Vlera totale e pasurisë së paluajtshme të z. Osmani del se është 830 mijë euro, ose vetëm 170 mijë euro mangu për t’u bërë një milion.
Ai e ka deklaruar edhe një veturë në vlerë prej 8 mijë eurove që beson se i takon prindit të tij.
Përveç kësaj, z. Osmani del se është pronar edhe i një dyqani të ushqimeve.