Live

KMDLNJ: Vrasja e gruas shtatzënë, dështim i mekanizmave mbrojtës të shtetit

12:32 / 01 Dhjetor 2022

Nga Denis Fana

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar ndaj vrasjes së një gruaje shtatzënë në Gjinekologji, duke thënë se kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e dështimit të mekanizmave mbrojtës të shtetit.

Mbrëmë rreth orës 18:00 në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, është vrarë H. M., nga një person që dyshohet të jetë ish-bashkëshorti i saj S. H. dhe i cili ende nuk është arrestuar. E ndjera ishte vendosur në Klinikën e Gjinekologjisë ku pritej të lindte së shpejti.

Vetëm pasi ndodhi krimi u mësua se e ndjera ishte dhunuar fizikisht nga ish-bashkëshorti sikur që ishte kërcënuar me jetë andaj ishte vendosur në regjimin e mbrojtjes nga shteti për faktin se rasti ishte denoncuar disa herë në polici. Këto janë informata zyrtare nga Prokurori që merret me rastin sikur edhe dëshmi nga familjarët e të ndjerës H. M., thuhet në reagim.

KMDLNJ kërkon dhe pret që Policia e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur të arrestojë të dyshuarin dhe në bashkëpunim me institucionet tjera përgjegjës ta nxjerrin para organeve të drejtësisë.

KMDLNJ apelon qytetarët që të informojnë Policinë e Kosovës në rast se kanë dijeni për vendndodhjen e dorasit në mënyrë që të arrestohet sa më parë, teksa kundërshton fuqishëm deklaratat nxitëse dhe shpërdoruese të politikanëve që duke keqpërdorur viktimat, edhe aty duan të përfitojnë politikisht.

Për më tepër, KMDLNJ kërkon të bëhen hetimet se cilat hallka të zinxhirit institucional përgjegjëse për jetën e të ndjerës H. M. kanë dështuar dhe në përputhje me këtë të merren masa konkrete në bazë të shkallës së përgjegjësisë.

KMDLNJ konstaton se po të ishte respektuar dhe mbikëqyrur urdhri për mbrojtje do të kishte siguri më të madhe për të ndjerën H. M.

“Lëshimi më i madh është bërë për faktin se të dyshuarit nuk i ishte vendosur unaza elektronike, baza juridike për të për të cilën ekziston e që parashihet me Ligj që ishte miratuar para dy vjetëve. Zinxhiri i përgjegjësisë është i gjatë dhe çështja nuk përmbyllet me arrestimin e të dyshuarit për vrasje”, përfundon reagimi i KMDLNJ-së.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...