Live

Kodi Civil riprocedohet së shpejti, Qeveria s’tërhiqet nga neni për LGBTI-në

23:08 / 28 Janar 2023

Nga Kosova Live

Qeveria ka paralajmëruar se së shpejti do ta riprocedojë draftin e ri të Kodit Civil, i cili kishte dështuar të miratohej gjatë vitit 2022. Mirëpo, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se nuk do të tërhiqen nga neni që lejon martesat mes gjinive të njëjta. Por, për të siguruar mbështetjen e nevojshme, ajo ka thënë se janë duke diskutuar me deputetët kundërshtues. Shoqëria civile kërkon të organizohen debate brenda partive politike për këtë.

Kodi Civil gjendet i pari në listën projektligjeve që Ministria e Drejtësisë synon t’i miratojë sivjet.

Por, ky institucion nuk do të ndryshojë nenin i cili u bë shkaktar që ky projektligj voluminoz të mos miratohej vitin e kaluar.

Bëhet fjalë për nenin numër 1138 i cili i hapë rrugë hartimit të një ligji të veçantë për lejimin e bashkësive civile ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se janë në rrugë të mirë për t’i bindur deputetët e partisë së saj, Lëvizjes Vetëvendosje, që të mbështesin këtë nen.

“Ministria e Drejtësisë tashmë është në fazat e diskutimeve me deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mënyrë që ta marrim mbështetjen e atyre në kohën kur Kodi Civil do të procedohet në Kuvend. Më lejoni që të ju njoftoj që ne nuk jemi tërhequr nga propozimi që kemi pasur në draftin e Kodit Civil, pavarësisht që i njëjti nuk është mbështetur nga Kuvendi i Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu.

Për shkak të nenit kontestues, Kodi Civil dështoi të miratohej marsin e 2022-ës në Kuvendin e Kosovës. Në mesin e 29 deputetëve që votuan kundër, 14 ishin nga Vetëvendosja.

Ministrja Haxhiu ka thënë se kjo çështje lidhet drejtpërdrejt me të drejtat e njeriut dhe se Qeveria është e obliguar t’i respektojë ato.

Miratimin e Kodit, Haxhiu e ka lidhur me fatin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Unë jam optimiste që kësaj radhe Kodi Civil do të kalojë dhe besoj që është shumë e rëndësishme, sidomos në prag të asaj që Kosova ka aplikuar në anëtarësim në mekanizma, sikurse është edhe Këshilli i Evropës – mekanizëm dhe instancë shumë e rëndësishme për Republikën e Kosovës”, ka thënë tutje ajo.

Afati për miratimin e draftit të ri të Kodit në Qeveri është 30 qershori.

Gjatë kësaj kohe, Instituti Demokratik i Kosovës kërkon nga Ministria e Drejtësisë që Kodin mos ta trajtojë si projektligj të zakonshëm, duke marrë parasysh mosmiratimin e tij vitin e kaluar.

“Shpresoj që dërgimi i tij për herë të dytë në Kuvendin e Kosovës do të shoqërohet me një lloj debati edhe organizimi edhe brenda ministrisë, mirëpo edhe përbrenda partive politike që nxisin një lloj reflektimi të mbështetur tek rëndësia e të drejtave të njeriut dhe veçanërisht tek rëndësia e këtyre të drejtave civile”, ka deklaruar Arbër Thaçi nga KDI-ja.

Në draftin e fundit janë bërë disa ndryshime, të cilat ministria ia ka treguar Dukagjinit.

Sipas MD-së, ndër të tjera janë sqaruar të drejtat pronësore dhe është siguruar mbrojtje më e mirë e të drejtave pronësore për gratë./Dukagjini/

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...