Në ditën e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës, KOMF u ka bërë thirrje institucioneve të ndërhyjnë me veprime konkrete për të garantuar mbrojtje dhe mirëqenie për të gjithë fëmijët në Kosovë.
Sipas KOMF, fëmijët viktima të abuzimit seksual, fëmijët me aftësi të kufizuar, fëmijët e përfshirë në punë të rënda dhe fëmijët viktima të abuzimit me substanca narkotike, kanë nevojë për mbrojtje dhe mbështetje të menjëhershme nga institucionet.
“Viteve të fundit ka pasur rritje të vazhdueshme të numrit të rasteve të veprave kundër integritetit seksual të fëmijëve sikurse dhunimi, sulmi seksual, etj. Veprat penale kundër integritetit seksual të fëmijëve janë duke ndodhur në ambiente si familje, komunitet, madje edhe në institucionet e mandatuara për mbrojtje të fëmijëve, si për shembull në institucione edukative, shkolla, etj”, thuhet në njoftim.
KOMF më tej ka theksuar se rastet e abuzimeve seksuale të fëmijëve dëshmojnë dhimbshëm jo vetëm ngathtësinë dhe mefshtësinë e sistemit të mbrojtjes së fëmijës, por edhe mungesën e theksuar të seriozitetit të gjithë sistemit të drejtësisë, në trajtimin dhe ndëshkimin e kryerësve të abuzimit me fëmijët.
“Në anën tjetër, fëmijët me aftësi të kufizuara në Kosovë nuk i gëzojnë të drejtat e tyre për arsim, shëndetësi dhe mirëqenie sociale dhe përballen me sfida të shumta. Sfidë kryesore e fëmijëve me aftësi të kufizuar mbetet qasja dhe gjithëpërfshirja, në mënyrë që ata të arrijnë potencialin e tyre të plotë. Për fëmijët e përfshirë në punë të rënda dhe fëmijët viktima të abuzimit me substanca narkotike, ka mungesë të theksuar të shërbimeve bazike dhe të nevojshme për shëndetin dhe mirëqenien e tyre”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Investimet në sektorin e shëndetësisë në Kosovë, janë ndër më të ulëtat në rajon, bënë të ditur KOMF, ku sipas tyre shpenzimet nga xhepi i qytetarëve janë të larta, kjo në mungesë edhe të fondit për sigurime shëndetësore.
“Në përgjithësi, shërbimet sociale vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë, përderisa kërkesa për këto shërbime po rritet në vazhdimësi. Ka mungesë të shërbimeve për fëmijët në nevojë, sidomos shërbimet e parandalimit dhe reintegrimit. Për të siguruar ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të qëndrueshme për fëmijët, është i domosdoshëm financimi i qëndrueshëm i shërbimeve sociale”, thuhet në njoftim.
KOMF apelon që të investohet urgjentisht në fuqizimin e shërbimeve ekzistuese dhe themelimin e shërbimeve që mungojnë, për të garantuar që çdo fëmijë të gëzojë një jetë dinjitoze.