Live

Komisioni miraton në parim ndryshimin e ligjit për shkarkimin e bordit të KPMM-së

13:34 / 21 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Komisioni parlamentar për Ekonomi ka miratuar në parim plotësim ndryshimin e Ligjit për Miniera dhe Minerale i cili është proceduar për shqyrtim në kuvend.

Ky plotësim ndryshim me propozim të anëtares së Komisionit, nga radhët e LVV-së, Mimoza Kusari Lila ka ndodhur për t’i ikur kontesteve administrative në gjykatë administrative pas shkarkimit të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Kusari propozon se i vetmi institucion për ankimim të mbetet Gjykata Kushtetuese.

“Ne kemi proceduar me plotësim ndryshimin e Ligjit për Miniera dhe Minerale për arsye se në raport me të gjitha agjencitë tjera rregullative që i raportojnë Kuvendit ka dy nene në këtë projektligj në të cilin procedura e shkarkimit të Bordit parasheh edhe kontestin administrative në gjykatë administrative, përkundrejt faktit se në të gjitha institucionet tjera është e rregulluar qartë në momentin dhe shkarkohen nga Kuvendi i vetmi organ më i lartë se Kuvendi se ku mund të procedohen ankimimet e personave të emëruar dhe shkarkuar është Gjykata Kushtetuese. Me këtë rast, e kemi analizuar dhe kemi parë si e tillë kjo dispozitë është në kundërshti edhe me vetë konceptin e shtetit e Republikës Parlamentare në të cilën Kuvendi është organi më i lartë legjislativë dhe vendimet e Kuvendit përveç se në Gjykatën Kushtetuese në procedura tjera që janë të rregullta për emërimin dhe shkarkimeve e bordeve në këtë rast nuk është në përputhje”.

“Prandaj vendimin për plotësim ndryshim e kemi marr sipas rregullores së Kuvendit me nënshkrimet e deputetëve e kemi proceduar tutje ka shkuar tek qeveria për opinion, qeveria më 16 shkurt të këtij viti e ka kthyer opinionin e tyre në të cilin është paraparë që ky projektligj është në përputhje edhe me dispozita tjera dhe nuk ka asnjë ndalesë që ky të procedohet tutje”, tha ajo.

Kryetari i këtij Komisioni, Ferat Shala u shpreh se plotësim ndryshimi i Ligjit për Miniera dhe Minerale nuk duhet t’ shkojë me procedura të shpejta./KP

Shpërndaje në

U Kopjua