Live

Komunat “s’kursejnë rrymë”, hapin tenderë për dekorimin e shesheve për festat e fundvitit

16:13 / 25 Tetor 2022

Nga Kosova Live

Paralajmërimet e institucioneve qendrore për një dimër të ashpër sa i përket furnizimit me rrymë, komunat nuk po i marrin aq seriozisht. Dy prej tyre tashmë kanë hapur tender për dekorimin e shesheve për festat e fundvitit. Sipas njoftimeve të publikuara në faqen zyrtare të e-Prokurimit, për këtë qëllim pritet të shpenzohen me mijëra euro.

Përgatitjet për festat e fundvitit tashmë kanë filluar në disa qytete të vendit. Komuna e Prizrenit është treguar më e shpejtë në këtë drejtim.

Pavarësisht paralajmërimeve për dimrin e vështirë që e pret vendin në aspektin energjetik e mundësisë që të kthehen reduktimet, kjo komunë ka planifikuar të shpenzojë 40 mijë euro për stolisjen e qytetit.

Në njoftimin për kontratë të publikuar në e-Prokurim, janë dhënë detaje edhe për pjesët e qytetit që do të dekorohen.

“Do të bëhet dekorimi i qytetit të Prizrenit në: Sheshi i Shatërvanit, Sheshi i Dëshmorëve, Rruga Adem Jashari, Parku te Qafa e Kishës, Shtrati i Lumbardhit, Shtëpia e Bardhë, Ura e Arastës”, thuhet në njoftimin për kontratë.

Kohëzgjatja e kësaj kontrate është 20 muaj nga data e dhënies së kontratës.

Afati i fundit për dorëzimin e ofertave për këtë tender është deri më 3 nëntor, në ora 13:30.

Qytetin për festat e fundvitit do ta dekorojë edhe Komuna e Lipjanit.  Për këtë qëllim, janë planifikuar të shpenzohen 20 mijë euro.

Në njoftimin e publikuar në e-prokurim, thuhet se kohëzgjatja e kësaj kontrate është për 24 muaj.

Si afat i fundit për pranimin e ofertave është dhënë 2 nëntori, ora 14:00.

“Çdo palë e interesuar mund të bëjë ankesë pranë Autoritetit Kontraktues, në bazë të nenit 108/A të Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092ne adresën e specifikuar ne Nenin I te këtij Njoftimi për kontratë”, thuhet tutje në njoftim.

Ndryshe, situata energjetike në vend veç po shkon duke u përkeqësuar. Korporata Energjetike e Kosovës është duke funksionuar me vetëm dy blloqet e Termocentralit Kosova B. Blloqet A3 dhe A4 të Termocentralit Kosova A janë ndalur për të rregulluar disa probleme, derisa për bllokun A5, s’po gjendet kompani e “përgjegjshme” për ta kryer remontin.

Nevojat e Kosovës për energji elektrike i tejkalojnë kapacitetet e prodhimit, sidomos gjatë dimrit.

Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavat në orë, kurse nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë. Këtë diferencë, ajo zakonisht e importon nga jashtë.

Bazuar në statistikat e institucioneve në Kosovë, amvisëritë janë shpenzuesit kryesorë të rrymës totale që prodhohet në vend./Gazeta Express

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...