Live

Konjufca i bën thirrje Thaçit ta caktojë datën e zgjedhjeve

15:43 / 23 Korrik 2019

Nga Kosova Live

Lëvizja Vetëvendosje kërkon nga presidenti Hashim Thaçi që të shpall datën e zgjedhjeve, ndërsa thekson se është kundër një qeverie teknike. Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca në një konferencë për media bëri ftesë që të mos merren vendime nga ana e Qeverisë në dorëheqje, gjersa të organizohen zgjedhje të reja.

Konjufca tha se javën e ardhshme mund të thërrasin seancë të jashtëzakonshme për të shpërbërë Kuvendin e Kosovës. Ai u shpreh optimist për një koalicion parazgjedhor me LDK-në.

 “Nëse këtë javë nuk bëhet e ditur caktimi i datës së zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje nuk merr pjesë në ato mbledhje ku do të diskutohet mandatari. Nëse luhet kjo lojë nga ana e presidentit ne në javën e ardhshme do të thërrasim seancë të jashtëzakonshme për të shpërbërë Kuvendin”, ka thënë Konjufca.

Ndërkaq, nënkryetari i VV-së, Besnik Bislimi tha se Qeveria në dorëheqje nuk duhet të merr asnjë vendim madhor që do të ndikonte në qeverinë e ardhshme.

“I bëj me dije qeverisë që mos të futet në asnjë aventurë që do të bënte Qeverinë e ardhshme ta anulojë qysh në ditën e parë. Kjo përfshin ndërprerjen e çfarëdo aktiviteti për privatizim të Telekomit apo futjes në borxhe, si dhe ndërprerje të aktiviteteve për autostradën e Dukagjinit”, tha Bislimi.

Shpërndaje në

U Kopjua