Live

Konkursi për guvernator në BQK: Dyshime për mungesë të transparencës

11:56 / 29 Janar 2023

Nga Kosova Live

Katër kandidatë i janë dërguar Kuvendit të Kosovës, i cili do të votojë për guvernatorin e BQK-së.

Shkëndije Himaj, Ahmet Ismaili, Lulzim Ismajli e Nexhat Kryeizu janë kandidatët që ka përzgjedhur BQK-ja t’i dërgojë në Kuvend.

Megjithatë, i gjithë procesi po dyshohet se është përcjellur me mungesë të transparencës. Kështu po thonë nga Lëvizja Fol, e cila nuk ka pranuar ta monitorojë konkursin pasi i është kërkuar të nënshkruajë një deklaratë konfidencialiteti.

Monitoruesja në Lëvizjen Fol, Viona Bunjaku ka thënë për KosovaPress se si shoqëri civile nuk kanë njohuri si janë vlerësuar katër kandidatët e përzgjedhur në listën e ngushtë për guvernator.

“Lista e cila ka dalë, është një listë që vet BQK-ja e ka publikuar, mirëpo që ne nuk kemi pasur mundësi që të dimë se kush janë këta persona, si janë vlerësuar, cili është ‘backgroundi’ i tyre dhe çfarë kanë punuar paraprakisht. Dhe gjithashtu nuk mund të dimë se si ka shkuar krejt procesi dhe faza e intervistimit, për arsye se ne nuk kemi qenë brenda si monitorues të këtij procesi. Andaj, ne nuk e dimë se cili do të jetë ai kandidat i cili do të zgjidhet nga Kuvendi. Po ashtu, nuk mund të dimë se cili do të jetë ai kandidat i duhur”, tha ajo për Kosovapress.

Bunjaku thekson se me deklaratën e konfidencialitetit nuk mund të ketë transparencë tek qytetarët.

“Unë sa isha duke shkuar në monitorim të këtij procesi, më është kushtëzuar monitorimi për shkak të deklaratës së konfidencialitetit për të cilën unë nuk nënshkruaj një deklaratë të tillë, por as ne si Lëvizje Fol, i kemi kundërshtuar deklaratat e tilla që vijnë nga institucionet publike që kanë për synim të shkelin transparencën publike, prandaj me këtë nuk mund të ofrohet një transparencë tek qytetarët. Pozitat e zyrtarëve publikë janë pozita që janë shumë të rëndësishme për neve si qytetarë që t’i vëzhgojmë nga afër se kush do të jenë ata persona të cilët do të udhëheqin në këto pozita kryesore”, tha ajo.

Shpërndaje në

U Kopjua