Sot, Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës është pritur në takim nga ambasadorja e Republikës së Francës në Kosovë, Marie- Christine Butel.
Takimi kishte karakter informues, ku ambasadorja u njoftua me Programin Nacional për Rininë, po ashtu u diskutua rreth procesit të Garave Nacionale dhe ndarjes së shpërblimeve.
“Me vendim të qeverisë ne kemi hartuar dhe zbatuar Programin Nacional për Rininë i cili u mundësoi mbi 316 mijë nxënësve që të marrin pjesa në Garat Nacionale të Kreativitetit Kulturorë e Mendimit Kritik, Garat e Diturisë dhe ato të Sportit. Në garat e mbajtura kemi arrit një gjithëpërfshirje mjaft të lartë. Gjatë 3 fazave të garave kemi arritur që të shpallim 44,723 fitues. Për nxënsit fitues janë ndarë shpërbilme duke filluar me certifikata, kampe kreative, bursa etj. Ne kërkojmë nga ju si një vend me traditë të kulturës e arsimit që të na ofroni përkrahje për programin. Meqenëse është mjaft sfiduese procesi i garave në nivelin shkollor, pasi që ka numër të madh të nxënësve, kërkojmë nga ju edhe mbështetje financiare për shkollat”, tha Hoti.
Ambasadorja Butel, pas informatave të marra nga ana e Koordinatorit Hotit shprehu gatishmërinë që ta përkrah procesin e garave duke thënë po ashtu se “ne do të informojmë edhe zyrën e BE-së në Kosovë dhe do të kërkojmë që të bashkëpunojmë në këtë proces”.
Në fund Hoti e Butel u dakorduan që të vazhdojnë bashkëpunimin për të mirën e nxënësve, duke qenë se Franca është shtet mik i Kosovës.