Qendra AIRE dhe Iniciativa Rajonale Kundër Korrupsionit (RAI), me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, organizuan një aktivitet trajnimi në Prishtinë duke u përqendruar në kthimin dhe administrimin e pasurive, bizneseve, pasurive të paluajtshme komplekse, letrave me vlerë dhe instrumenteve financiare. Trajnimi u ofrua nga ekspertët ndërkombëtarë Jill Thomas dhe Thomas Abernathy, nga Asset Reality.
Në hapje, Zëvendësministri i Drejtësisë Blerim Sallahu tha: “Puna për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara njihet në nivel global si delikate dhe përbën një nga përgjegjësitë thelbësore të institucioneve të përfshira në këtë proces të rëndësishëm. Ministria e Drejtësisë ka bërë ndryshime në Ligjin Për Agjencinë e Administrimit të Pasurisë, ku deri tani nuk lejohej shitja, dhënia me qira apo shfrytëzimi i pronave të paluajtshme të sekuestruara, por tani, me plotësimin/ndryshimin që ka filluar, një gjë e tillë do të jetë e mundur dhe shumë fitimprurëse.”
Koordinatorja Kombëtare e Qendrës AIRE Ganimete Ismajli tha: “Kur e filluam projektin në vitin 2018 qëllimi ynë kryesor ishte që t’u përgjigjeshim drejtpërdrejt nevojave të institucioneve dhe t’i shfrytëzojmë kapacitetet në dispozicion në mënyrën më të dobishme për ju. Shpresoj shumë që trajnimi që po organizojmë në bashkëpunim me Asset Reality do të bëjë pikërisht këtë.”
Aktiviteti i trajnimit kishte për qëllim t’u jepte pjesëmarrësve njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të administruar në mënyrë efektive pasuritë kriminale, e cila është një pjesë jetike e procesit të kthimit të pasurive. Trajnimi mbuloi aspektet teknike të administrimit të pasurive, duke përfshirë mënyrën e ruajtjes së vlerës së shtëpive, kompanive, veturave, stolive dhe sendeve të tjera luksoze të sekuestruara dhe të konfiskuara. Trajnimi theksoi gjithashtu rëndësinë e një qasjeje transnacionale dhe të partneriteteve publike-private në administrimin e pasurive.
Ekspertët dhe këshilltarët ndërkombëtarë Jill Thomas dhe TJ Abernathy nga Asset Reality u pajtuan me njëri-tjetrin duke thënë se: “Të paturit e një sistemi efektiv të administrimit të pasurive kriminale që ruan vlerën e shtëpive, kompanive, veturave, stolive dhe sendeve të tjera luksoze të cilat autoritetet kosovare i konfiskojnë nga kriminelët e dyshuar është një pjesë jetike e zinxhirit të kthimit të pasurive. Kjo punë është shumë teknike në natyrë dhe kërkon rregullisht një qasje transnacionale dhe partneritet publik-privat. Kosova i ka kushtuar rëndësi të madhe kthimit të pasurive, duke siguruar që vlera të ruhet për të mirën e shtetit, që çdo viktimë që kërkon kompensim të marrë kompensim dhe që pasuritë t’u kthehen pronarëve nëse ato kthehen kur nuk vërtetohen rastet.”
Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomik, Shqipdon Fazliu, theksoi rëndësinë e trajnimit, duke thënë: “Njohuritë dhe ekspertiza e ofruar nga ekspertët dhe këshilltarët ndërkombëtarë do të na ndihmojnë shumë në përpjekjet tona për administrimin e pasurive kriminale dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Konfiskimi i pasurive të paligjshme është një mesazh se pasuria kthehet aty ku e ka vendin. Një fjalë e urtë popullore thotë: “Gjëja e huaj nuk bëhet kurrë e jotja”. “
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të AAPSK-së, Enver Krasniqi, gjithashtu theksoi rëndësinë e kthimit efektiv të pasurisë në luftën kundër krimit, duke thënë: “Kthimi i pasurisë është një aspekt kritik i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ky trajnim na ofroi njohuri dhe komente të vlefshme që do të jenë të vyera në përpjekjet tona për të administruar në mënyrë efektive pasuritë kriminale.”
Drejtori i Akademisë së Drejtësisë Enver Fejzullahu tha se: “RAI dhe Qendra AIRE kanë dëshmuar edhe një herë përkushtimin e tyre në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor dhe ne presim me padurim bashkëpunimin e ardhshëm. Profesionistët e fortë janë ata që sigurojnë integritetin e nevojshëm për krijimin e sundimit të ligjit.”