Kanë mbetur edhe 19 ditë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale në veri të Kosovës, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk i ka qartësuar disa veprime esenciale në organizim.
Ky institucion nuk ka marr vendim se ku do t’i vendos zyrat e Komisioneve komunale, të cilat vitin e kaluar u sulmuan me armë zjarri.
RTV Dukagjini ka raportuar ditë më parë se kjo pritet të bëhet brenda stacioneve policore.
Por, në KQZ thonë se ende janë duke shqyrtuar mundësitë.
Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, për KP-në, ka thënë se “Në kuadër të këtyre përgatitjeve është edhe funksionalizimi i Zyrave të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në secilën nga këto komuna dhe në këtë drejtim jemi në kontakt me institucionet relevante, të cilat kanë rolin e tyre në aspekte të ndryshme gjatë procesit zgjedhor”.
Por, në Mitrovicë në fakt ka skpeticizëm se zgjedhjet do të jetë vështirë të mbahen pikërisht për shkak të zhvillimeve të fundit, tensionimit të situatës dhe djegies së veturave.
Skënder Sadiku nga iniciativa qytetare “Mitrovica” ka thënë se “Djegiet po janë një fushatë jo e mirë nga Lista Serbe që po përçon mesazhe të dhunshme që mos të mbahen zgjedhjet në mënyrë demokratike ashtu siç ne shpresojmë.
Emir Azemi, iIsh-asamblist në Mitrovicën Veriore ka thënë se “Pas djegieve të automjeteve dhe sulmeve ndaj Policisë është një situate pak e tensionume andaj kemi tre hapa, ose të mbahen zgjedhjet në vende ku ka shumicë shqiptare, opsioni i dytë që zgjedhjet të shtyhen ose opsioni i tretë është që të vendosen disa administrator në katër komunat për të funksionalizuar komunat”.
Në këto zgjedhje nuk do të marr pjesë, Lista Serbe derisa janë gjithsej 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy janë të komunitetit serb.