Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hyrë në muajin e dytë që prej mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 6 tetor dhe nuk është gati për t’i certifikuar rezultatet përfundimtare të shpallura javën që shkoj. Tashmë me vendimin e PZAP-it, për rinumërimin e 1428 vendvotimeve të tjera, mund të mos ketë certifikim deri në dhjetor dhe vonim të konstituimit të institucioneve të reja.
Kosova është e para në rajon për stërzgjatje të numërimit dhe certifikimit të rezultateve zgjedhore. Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi për zgjedhjet nuk janë vonuar as një muaj për shpalljen e rezultateve dhe certifikimin e tyre.
Profesori universitar Mazllum Baraliu thotë për KosovaPress, se në bazë të përvojave të deri tanishme, fatkeqësisht procesi zgjedhor ka marrë tatëpjetën dhe një zvarritje të paimagjinuar, sepse është zhgënjyes fakti për mos efikasitetin e KQZ-së. Përveç kësaj, sipas Baraliut, rritet edhe kostoja financiare me këto stërzgjatje të vazhdueshme.
Baraliu thotë se sa më parë rezultatet duhet të certifikohen dhe në zgjedhje tjera të mos zgjasë kaq shumë procesi elektoral.
Ish kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu pohon se Kosova në vazhdimësi është duke u vonuar në procesimin dhe certifikimin e rezultateve zgjedhore, krahasuar me vendet e rajonit. Ai thotë se duhet të zbatohen teknikat dhe metodat digjitale më moderne që janë në KQZ.
Ndërsa, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, është arsyetuar për vonesën e shpalljes së rezultateve dhe të certifikimit, duke thënë se është e natyrshme, sepse në çdo vend ka specifika të ndryshme të procesit zgjedhor.
Elezi thotë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vepron sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe se është e detyruar të zbatojë të gjitha aspektet ligjore.
Kurse, Drilona Hoxhaj, zëdhënëse e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, thotë për KosovaPress, se në zgjedhjet e vitit 2017, shpallja e rezultateve përfundimtare ishte rreth 1 muaj, që njëkohësisht ka ndodhë edhe certifikimi.
Hoxhaj thotë se më datë 25.6.2017, në Republikën e Shqipërisë u zhvilluan zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, KQZ vendosi të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë me vendim nr. 555 datë 26.07.2017.
Në Maqedoni të Veriut për zgjedhjet parlamentare që u zhvilluan më 11 dhjetor 2016, rezultatet janë certifikuar më 28 dhjetor 2016, ose jo më shumë se tri javë ka zgjatur numërimi dhe certifikimi.
Zyrtarë të KSHZ-së në Maqedoni të Veriut pohuan për KosovaPress, se nga përvoja e tyre nuk kanë pasur vonesa asnjëherë në procesin zgjedhor sikur në Kosovë që po ndodhë aktualisht.
Edhe në Mal të Zi, zgjedhjet parlamentare ishin mbajtur më 16 tetor 2016, ndërsa më 30 tetor KSHZ i shpalli rezultatet përfundimtare.
Ndryshe, për dallim nga zgjedhjet e sivjetshme, në zgjedhjet parlamentare në Kosovë që ishin zhvilluar më 11 qershor të vitit 2017, nuk ka pasur vonesa më shumë se 1 muaj. KQZ-ja kishte certifikuar rezultatet zgjedhore më 8 korrik 2017.