Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim që të rinumërohen edhe tri vendvotime, dy në Podujevë dhe një në Prizren.
Kurse për një vendvotim në Skenderaj, të cilit i mungojnë 450 fletëvotime, u mor vendim që të mos procesohet derisa Zyra Ligjore të japë interpretimin e saj.
Koordinatori i QNR-së, Burim Ahmetaj, tha se në këtë vendvotim në Runik të Skenderajt, nuk ka pasur mospërputhje mes numrit të personave që kanë votuar dhe votave në kuti, megjithëse sipas tij, ky i fundit nuk duhet të procedohet për shkak të mungesës së 450 fletëvotimeve.
E fakti se ky vendvotim nuk ka mospërputhje tjera, sipas anëtarit të KQZ-së nga radhët e PDK-së, Ilir Gashit, nuk duhet të hedhet poshtë.
E me këtë u pajtua edhe Sami Hamiti nga radhët e LDK-së, për çka tha se duhet të ndahet procedura e mungesës së fletëvotimeve me ato të votimit.
Por, për Adnan Rrustemin e Lëvizjes Vetëvendosje, fakti se fletëvotimet e humbura nuk janë kthyer në KQZ duhet të bëjë që ftesa për Prokurorinë të jetë e veçantë.
Përputhja që ekziston mes nënshkrimeve dhe fletëvotimeve në kuti, sipas tij, nuk e qartëson gjendjen e fletëvotimeve që mungojnë në këtë vendvotim.
Për këtë, ai kërkoi që KQZ të mos marrë vendim sot, për t’i lënë kohë koordinatorit të QNR-së, Burim Ahmetaj, që të sjellë një raport më të detajuar për këtë vendvotim.
Ndërsa kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka u shpreh në favor të rekomandimit të QNR-së.
Pas këtyre diskutimeve u vendos që për vendvotimin në fjalë të merret parasysh interpretimi i Zyrës Ligjore.