Serbët në veri nuk kanë lejuar sot që zyrtarët komunal të zgjedhjeve të kryejnë detyrën e tyre lidhur me zgjedhjet lokale që do të mbahen me 18 dhjetor.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se zyrtarët komunal të zgjedhjeve nën përcjellje të Policisë së Kosovës kanë shkuar në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok por s’kanë arritur të ushtrojnë detyrën e tyre zyrtare.
Elezi ka thënë se po priten njoftimet nga këta zyrtarë komunal për të sqaruar situatën, ndërkohë KQZ-ja si rezultat i kësaj situate do të mbaj mbledhje sot në orën 18:00.
“Jemi në pritje të njoftimeve nga Zyrtarët Komunal të Zgjedhjeve të cilët gjatë ditës së sotme, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës kanë shkuar në zyret e tyre, në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok, me qëllim të ushtrimit të detyrave zyrtare, por kjo nuk ishte e mundur. Në këto raporte do të sqarohet situata e krijuar. KQZ-ja është në koordinim të vazhdueshëm me institucionet tjera. Lidhur me situatën e krijuar, KQZ-ja do të mbajë mbledhje, sot, me fillim në orën 18:00”, ka thënë Elezi.
Dy shpërthime u dëgjuan pasditen e së martës në Zubin Potok, ndërsa tri të tjera në Mitrovicë të Veriut – që të dyja komuna të banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.
Sipas raportimeve të disa mediave serbe, shpërthimet në Zubin Potok ndodhën në kohën kur anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor, nën përcjelljen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, hynë në hapësirat e objektit komunal.
Burime të REL-it thanë se në Mitrovicën e Veriut u dëgjuan sirena alarmuese para orës 15:00.