Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se në marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë do të përfshihet edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Pavarësisht që dokumenti franko-gjerman si propozim është dokument që më shumë bazohet në vlera, nuk flet në mënyrë konkrete për afate dhe për veprime që duhet t’i ndërmarrin dy palët dhe rrjedhimisht as emri asociacion nuk figuron aty, e vërteta është që në versionin e parë ky dokument e ka transformuar qasjen nga marrëveshje me njohje në qendër në marrëveshje me Asociacion në qendër, kështu që po unë besoj që marrëveshja si e tillë e përfshin krijimin e Asociacionit gjithsesi”, tha ai.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online theksoi se “çfarëdo marrëveshje e cila nuk e parasheh dhe nuk e arrin njohjen e ndërsjellë është marrëveshje që nuk e përfundon konfliktin mesë Kosovës dhe Serbisë dhe është marrëveshje e cila, siç thotë populli nuk kryen punë”.
“Unë i kam propozuar pesë shtyllat që duhet ti ketë marrëveshja. E para ruajtja e karakterit unitar të shtetit të Kosovës, pra edhe asociacioni nëse krijohet të jetë pikërisht siç e ka parapa aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Dy që të kemi garanci për njohje nga pesë shtete anëtare të BE-së që nuk na njohin. Nënë tre fillimi i procesit të anëtarësimit të Kosovës në NATO. Nënë katër marrja e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe e pesta njohja e ndërsjellë”, shtoi Krasniqi.
Krasniqi foli edhe për aplikimin e Kosovës për statusin kandidatë për në BE.
Ai sqaroi se pavarësisht që rruga e Kosovës që nga themelimi i saj ka qenë rruga drejt integrimeve evropiane, kjo nuk ka qenë koha e duhur për aplikim.
Kjo pasi sipas tij, kjo është bërë më shumë si një spektakël momental dhe se ky aplikim nuk i sjellë asnjë favor Kosovës.