Live

Krasniqi: Duhet ta kuptojmë se pa mbrojtjen e SHBA-së e NATO-s, mund të jemi si Kuba dhe si Koreja e Veriut

10:20 / 30 Janar 2023

Nga Kosova Live

Profesori universitar, Milazim Krasniqi, ka bërë thirrje për reflektim për të filluar ndërtimin e shtetit, si shtet ligjor dhe ku vlerat atlantike bëjnë ligjin.

Ai ka thënë se për të funksionuar si shtet i qëndrueshem arrihet duke bashkëpunuar me SHBA dhe NATO.

“Kjo arrihet me partneritet të mirëfilltë me SHBA-në e NATO-n, ku kompromisi si kompensim i garancive të tyre, është i domosdoshëm. Tashmë është e qartë se pa kompromise nuk ka garanci bianko. Dhe është e sigurt se veten e kemi sjellë në këtë pikë.” – ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.

Shkrimi i plotë i tij:

Në pozitën e rëndë ku jemi momentalisht si shtet e si shoqëri, edhe nëse vajtojmë, edhe nëse ulërasim, kot na shkojnë. Ne vërtet punuam e luftuam për Kosovën, por ka rrezik se në njëfarë mase e kemi tradhtuar në liri. Nuk i dhamë shans të bëhej vend mirëfilli demokratik. Fillimisht të pafrenuar ndaj dhunës ndëretnike e politike, pastaj ndaj korrupsionit, më tutje të ekspozuar keqas ndaj ekstremizmit e ndaj antiamerikanizmit, erdhëm këtu ku jemi, para portave të ferrit të kësaj bote. Lus Zotin të na shpëtojë edhe këtë herë e të na mundësojë ta kuptojmë se pushteti pa shtet ligjor e të drejtë dhe pa mbrojtjen atlantike, është veç parullë ideologjike, më saktë pordhë e ftoftë. Pra, duhet ta kuptojmë se pa mbrojtjen e SHBA-së e NATO-s, ne mund të jemi kuazishtet si Kuba, si Koreja e Veriut e bile më shumë si Siria. Në atë rast lideri mund të fitojë 99% të votave, ama shteti shkon për dhjam qeni. Është momenti të frenojmë, të reflektojmë, të korrigjojmë gabimet, të fillojmë ndërtimin e shtetit si shtet ligjor, ku akomodohet edhe pakica serbe dhe ku vlerat atlantike bëjnë ligjin. Kjo nuk arrihet as me refuzim, as me dorëzim. Kjo arrihet me partneritet të mirëfilltë me SHBA-në e NATO-n, ku kompromisi si kompensim i garancive të tyre, është i domosdoshëm. Tashmë është e qartë se pa kompromise nuk ka garanci bianko. Dhe është e sigurt se veten e kemi sjellë në këtë pikë.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...