Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se qeverisë i mungon morali politik dhe se Kosova po udhëhiqet nga njerëz të shkëputur nga realiteti.
“Këta nuk kanë moral politik. E kanë shkelë kushtetutën disa ministra radhazi. Gjysma është dashtë me dhënë dorëheqje. Kushtetutën e ka shkelë Arbërie Nagavci. Nuk ka kërkuar as falje. E ka shkelur Arben Vitia. Është kthyer përsëri në punë. E ka shkelur Albulena Haxhiu, e ka shkelur Rozeta Hajdari. Krejt këta janë shkelës të Kushtetutës”, tha ai në emisionin Pressing në T7.
Krasniqi shtoi se performanca e qeverisë në këto dy vjet është e dobët. Ai pretendon se ka një kompleks superioriteti tek qeveritarët dhe se “ndjehen më të mirë se të tjerët”
“Të paditur janë absolutisht. Janë shumë të paditur sa që mund të shohësh në mënyrën se si po udhëheqin. Por me pas këtë qasje ndaj krejt grupeve shoqërore dhe ndaj Kushtetutës e ligjeve, është tendencë për tregim të superioritetit. Se janë më specialë se të gjithë të tjerët. Kjo është telashja më e madhe. Se po shihet se nuk janë më të mirë, por jashtëzakonisht të dobët. Kjo mungesë e performancës është në çdo fushë”, tha ai.
Ai ceku edhe mungesën e komunikimit të Qeverisë me qytetarët. Ai thotë se pushtetarët jetojnë të ndarë nga realiteti që është në Kosovë.
“Këta jetojnë të shkëputur nga realiteti. Këta jetojnë në zyre e xhipa. Pyetni se kur kanë qenë për herë të fundit në shtëpitë e qytetarëve, në familje. Unë ju thashë, nuk ka lidhje fare se çfarë po thua këtu. Sot kemi fëmijë që nuk dalin në pushim pranveror. Pse? Sepse kryeministri i ka munduar mësimdhënësit. Për 50 euro i ka munduar mësimdhënësit. Njeri që sot mburret se mbi 800 milionë i ka shpërndarë tek qytetarët herë ka 20, e herë ka 50 euro. E për ato 50 dojke me i mbyt mësimdhënësit”, përfundoi ai.