Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka thënë se vendimi i sotëm për çështjen e liberalizmit të vizave mund të jetë vendim si shkak i politikës, që sipas saj, po ndodhë në kohët e fundit në Kosovë.
Ajo tha se Kosova i ka përmbushur kushtet për liberalizim e vizave qysh prej vitit 2018, por tani BE-ja do që në këtë proces ta fut edhe programin ETIAS.
“Mirëpo tani, kjo ka dështuar për arsye se BE-ja në këtë proces dëshiron ta futë edhe programin ETIAS që për mua është shumë zhgënjyese sepse ky program është i thjeshtë dhe nuk është dashur që Kosova të kushtëzohet me këtë program. Por s’dua të mendojë se ky vendim sot mund jetë edhe i politikës që po ndodhë kohët e fundit në Kosovë”.
“Nuk po dua të jetë ajo por ashtu po i bie, sepse ETIAS-i është një program i thjeshtë që këtë program s’janë duke e implementuar as vendet e BE-së mirëpo siç po shihet mund të jetë edhe vendim politik”, është shprehur Krasniqi në “Edicioni Special” në Klan Kosova.
Tutje, ajo tha se Qeveria Kurti s’ka pasur progres në politikën e jashtme, pasi sipas saj, Kosova s’ka aplikuar në asnjë organizatë ndërkombëtare përveç Këshillit të Evropës.
“Nuk mund të thuhet se ka qenë faji i qeverisë, por për shkak të vendimeve të fundit që kanë ndodhur që kryeministri të mos bashkërendohet me faktorët ndërkombëtar, mund të them se vendim i sotëm është edhe politik”, është shprehur Krasniqi.