Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka qëndruar në Gjilan.
Ai atje është takuar strukturat e PDK-së në këtë Degë, kryesinë e Rinisë Demokratike të Kosovës, si dhe drejtorët e asamblistët nga radhët e PDK-së, të cilët i ka përgëzuar për punën e mirë që po e bëjnë në kuadër të përgjegjësive që u janë besuar nga qytetarët e Gjilanit, në bazë të postimit në Facebook të PDK-së.
Turin e takimeve në Gjilan, kryetari Krasniqi e ka përmbyllur me qytetarët e Zhegrës, një vend që ndër breza ka nxjerrë personalitete të shquara, prej Idriz Seferit, te Agim Ramadani e deri te Xherdan Shaqiri.
Sipas Krasniqit, numri i banorëve në Zhegër po ulet dita-ditës për shkak të braktisjes së vendit nga të rinjtë, si pasojë e pasigurisë në punë, degradimit të sistemit shëndetësor dhe rritjes enorme të kostos së jetesës.
“Për fat të keq, sot shumë rinj në Kosovë nuk e imagjinojnë një të ardhme të sigurtë në vend, sepse qeverisja aktuale nuk po i plotëson as për së afërmi nevojat dhe kërkesat e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Meqenëse, qytetarët e Kosovës e kanë humbur besimin në institucione, PDK sugjeron se detyrë e secilit duhet të jetë rikthimi i Kosovës në binarët e zhvillimit dhe përparimit.
“PDK-ja është e përkushtuar për këtë detyrë dhe do të bëjë çdo përpjekje për të krijuar kushtet e favorshme që të rinjtë tanë të qëndrojnë – madje edhe të kthehen në Kosovë me përvojën e tyre nga jashtë”.