Jakup Krasniqi sot para gjykatësve të Speciales ka mohuar të gjitha akuzat që rëndojnë mbi të.
Në fjalën e tij, Krasniqi ka folur për aktivitetin e tij që prej lindjes, torturat dhe presionin, me të cilin u përballë ai vetë, familja e tij dhe populli i Kosovës nga regjimi serb.
Krasniqi ndër të tjera ka folur edhe për aktivitetin e tij në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sipas tij, është absurde që ai të akuzohet për vrasjen e bashkëpunëtorëve të tij, njerëzve me të cilët ka vepruar në ditë të vështira.
Ai e ka quajtur absurd njërin nga krimet e supozuara mbi të cilin ngarkohet.
“Është absurde të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të LDK-së, kur unë isha vetë pjesë e kësaj partie”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, ai ka qenë pjesë e LDK për një kohë të gjatë. Pjesë e kësaj partie, sipas Krasniqit, kanë qenë edhe anëtarët e familjes së tij dhe bashkëluftëtarët e tij.
Madje, ai tregoi se edhe mbesa e tij ka qenë kandidate në zgjedhje nga kjo parti.
“Vetëm një mendjeje të çoroditur mund t’i ketë lindur ideja se unë mund të isha pjesë e persekutimit të familjarëve të mi, bashkëluftëtarëve të mi. Unë ruaj kujtimin dhe respektin për veprimtarët e LDK-së”, tha ai.