Live

Krasniqi-Ramës: Askush s’është kundër ndërtimit të urave të së ardhmes, por ato s’ndërtohen njëanshmërisht

18:24 / 21 Dhjetor 2019

Nga Kosova Live

PRISHTINË | 21 DHJ 2019 |  Nga KosovaLive

Kreu i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, ka dhënë një qëndrim të tij lidhur me Mini Schengenin Ballkanik, e në veçanti takimin e sotëm që u zhvillua në Tiranë.

Ka komentuar deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili sot në takim tha se “janë mbledhur për të ndërtuar urën mes së shkuarës e së ardhmes”.

Krasniqi, thotë se askush nuk duhet të jetë kundër ndërtimit të urave të së ardhmes, por, urat e së ardhmes mes vendeve të ndryshme nuk ndërtohen njëanshmërisht, dhe sipas tij, ato ndërtohen me vullnetin e të gjithëve duke u shkëputur nga e kaluara që prapa ka lënë shumë plagë të përgjakura.

“Vërtetë “plagët nuk shërohen me helm”, por edhe helmi nganjëherë shëron?!”, nis shkrimin e tij Krasniqi.

Kujtojmë dhe njëherë se sot gjatë ditës, u zhvillua takimi i liderëve të rajonit në Tiranë. Edi Rama, Alleksandar Vuçiq dhe Zoran Zaev nisën diskutimet me dyer të mbyllura, ndërkohë që i pranishëm për herë të parë në takim ishte edhe Millo Gjukanoviq, president i Malit të Zi.

Lexoni të plotë komentin e Krasniqit:

Në takimin jo të plotë të Samitit e “Mini Shengenit” Ballanik, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama paska thënë:

“Jemi për të ndërtuar urën mes të shkuarës dhe të ardhmes. Unë me bindje them se ky proces është në një mendim me të gjithë vendet. Dhe duhet të bashkojnë forcat dhe të shpejtojmë procesin drejt BE-së. Ne po ndërtojmë standardet që kërkon BE me katër liritë themelore. Plagët e të shkuarës nuk kurohen me helm, por me ilaçe. Nuk jemi të ftuar ti shpikim, por i kanë bërë të tjerët më parë. Duhet dialog e negociata, se kjo ka çuar vendet përpara. Nisma nuk ndalet, por do vijojë me bindjen se do i kemi të gjitha mundësitë të vijojmë me dialogun. Në asnjë rast historia nuk tregon se vetë izolimi të kenë sjellë ndonjë të mirë, apo të kenë mbjell ndonjë pemë me fruta të dobishme për brezat e ardhshëm”.

Në fakt, askush nuk duhet të jetë kundër ndërtimit të urave të së ardhmes, por, urat e së ardhmes mes vendeve të ndryshme nuk ndërtohen njëanshmërisht, ato ndërtohen me vullnetin e të gjithëve duke u shkëputur nga e kaluara që prapa ka lënë shumë plagë të përgjakura. Sigurisht që duhet të ndërtohen “ura miqësie e bashkëpunimi”, por, ne shqiptarët se pari duhet t’i ndërtojmë urat vëllazërore në mes veti, urat e dëmtuara të se djeshmes e të sotmes sonë. Kur ta kemi bërë këtë hap, nëse ata që deri dje kanë shkatërruar çdo urë miqësie e bashkëpunimi, duke lënë prapa lumenj gjaku e plagë të hapura me dhimbje të mëdha njerëzore, nuk e di sesa lënë mundësi për ndërtim të “urave miqësie e bashkëpunimi”?! Ne, të gjithë e dimë se BE-ja ka vendosur standarde që duhet lakmuar. BE-ja pas Luftës së Dytë Botërore, i pat do njerëz mendje hapur që e panë realitetin – se luftërat nuk prodhojnë zhvillim, nuk ndërtojnë, por shkatërrojnë ura dhe nuk prodhojnë perspektivë për as një komb të Evropës Perëndimore. Ato mendje të ndritura i vunë themelet e BE-së së sotme! Ani pse edhe sot në BE, brenda saj ka vende që pengojnë e izolojnë?! A i ka Ballkani i sotëm ato mendjet themeluese të BE-së? Unë dyshoj se i ka! Do të dëshiroja dhe do të dëshiroja shumë që t’i shihja këto mendje në Ballkan. Për disa vite edhe Kryeministri i Kosovës i para pak viteve e Kryetari (Presidenti) i sotëm i Kosovës – Hashim Thaçi, për më shumë se gjashtë vjet, është përpjekur që t’i normalizoi marrëdhëniet me Serbinë e Vuçiqit, por të gjitha përpjekjet e tija, veç sa na sollën para konflikteve të reja?! Pse? Pala tjetër, Vuçiqi me kompani nuk qenë të gatshëm t’i normalizojnë marrëdhëniet me Kosovën dhe as ta njohin Pavarësinë e Sovranitetin e saj. Thaçi me shumicën parlamentare në vitin 2013 e patën miratuar një Marrëveshje për njohje e normalizim, por as sot e kësaj dite nuk ka normalizim, përkundrazi ka përkeqësim. A ka përkeqësim më të madh sesa krerët e shtetit serb që ishin pjesë aktive në Qeverinë e Millosheviqit që ushtroj krime të gjenocidit në Kosovë, as sot pas 20 viteve, jo vetëm që nuk distancohen, por paturpësisht mohojnë krimin e gjenocidin e shkaktuar gjatë luftës (1998-1999).

PO, “dialogu dhe negociatat i kanë quar vendet përpara”, kjo është fakt. Por, për dialog e negociata duhet pasur vullnet nga të gjitha palët, që të shikojnë përpara. Për të shkuar përpara, nuk duhet kthyer prapa. Dialogu e negociatat nuk bëhen me ata që shikimin e kanë në mesjetën që atyre u ka prodhuar vetëm mite të rrejshme. Si miti se vetëm ata na qenkan “popull hyjnor”?!

Nuk kam asnjë dyshim se “izolimi nuk është zgjidhje”, por as miqësia me gjarprin lubi nuk është zgjidhje. Se jo pak herë, paraardhësit tanë, janë përpjekur të krijojnë miqësira me Beogradin që nga Toptani, Zogolli, Hoxhët e Shqipërisë e të Kosovës, krejt deri të Hashimi e Rama, por, miqësi nuk kemi parë. Natyrisht, në mes këtyre që i përmenda nuk shoh shenja barazimi, por përpjekje janë bërë nga të gjithë, por ndonjë rezultat nuk kemi parë.

Zoti mundet, por asnjë martesë e shëndosh nuk arrihet pa vullnetin e te dy palëve!

Shkurt: Të ecësh në rrugën që në asnjë rast nuk ka prodhuar zgjidhje, nuk me duket se është punë me mend!

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...