Profesori dhe analisti Milazim Krasniqi ka thënë se Kurti po tallet me publikon dhe po ua fyen inteligjencën, e njëjtë ishte deklarata e sotme se gjoja e lejoi hyrjen e patriarkut serb, Porfiries, për dëshirën e ministrit Rashiq.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se refuzimi i asaj vizite ka qenë gabim trashanik dhe se ankesat kanë shkuar deri në Shtëpinë e Bardhë.
Postimi i tij i plotë:
Nganjëherë më pëlqen mënyra se si tallet Kurti me publikun. Nuk i bën hesap për njerëz. Ua fyen intelegjencën. E tillë është edhe deklarata e sotme se gjoja e lejoi hyrjen e patriarkut serb, Porfiries, për dëshirën e ministrit Rashiq. Po të ishte për dëshirën e tij, Rashiqi ka qenë ministër edhe kur i është refuzuar hyrja patriarkut serb dhe jam i bindur se ai nuk ka qenë për ndalesë. Po në atë rast Kurti nuk ia ka pyetur dëshirën Rashiqit. Ama refuzimi i asaj vizite ka qenë gabim trashanik. Ankesat kanë shkuar deri në Shtëpinë e Bardhë. Realisht, nuk ka logjikë t’i refuzohet patriarkut serb hyrja në Patriarkanën e Pejës, e cila është pronë e Kishës Ortodokse Serbe.
Në vend se të provokojë këso skandalesh, Kurti duhet të nis procesin e arritjes së një Marrëveshjeje Themeltare ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Kishës Ortodokse Serbe. Kjo është detyra e tij si kryeministër. Në fakt, ajo punë është dashur të adresohej në Procesin e Vjenës, po nuk është adresuar. Meqë nuk është adresuar, nga ata që më shumë kanë shkuar atje si turistë sesa si negociatorë, me Planin e Ahtisarit Kisha Serbe vepron në Kosovë gati njësoj si në Serbi, pa obligime specifike ligjore ndaj Kosovës si shtet. Prandaj, për ta korrigjuar atë gabim që është bërë më herët, në vitet 2006-2007, tash qeveria duhet të negociojë me Kishën Serbe. Pra, me Kishën e jo me shtetin e Serbisë.
Në këtë kontekst, rritja e mirëbesimit dhe ofrimi i garancioneve të sigurisë është parakusht për të arritur marrëveshjen e dëshiruar. Kjo duhet të jetë rruga. Jo tallja se gjoja patriarku lejohet të hyjë në Kosovë në bazë të dëshirës së një personi. Ama ka budallenj që e besojnë atë deklaratë të Kurtit, madje ka shumë. Mirë ua bën që tallet me ta. E meritojnë. Por ai duhet të ndalojë e të mos e dëmtojë më tutje veten dhe shtetin me aso veprimesh. Nëse nuk ndalon, e ndalojnë të mëdhenjtë, siç në të vërtetë është rasti me lejimin e vizitës së patriarkut serb. Hilli tha të mos përsëritet ndalimi. Pra, dëshira e Hillit u plotësua, jo e Rashiqit.
Do të duhej të plotësohej interesi shtetëror, që në fillim. Brenda atij interesi shtetëror akomodohet edhe dëshira e Rashiqit edhe dëshira e Hillit. Pra, që Kosova të jetë shtet demokratik, me liri të plotë të lëvizjes, me respektim të plotë të lirive kombëtare e fetare.