Live

Kryeministri finlandez humb besimin e koalicionit, pritet dorëheqja

13:05 / 03 Dhjetor 2019

Nga Kosova Live

Kryeministri i Finlandës, Antti Rinne, duket se do të japë dorëheqje nga pozita e shefit të qeverisë pasi Partia e Qendrës, e cila është pjesë e koalicionit me pesë parti, tha se e ka humbur besimin në liderin socialdemokrat.

Qeveria e kryeministrit Rinne është kritikuar shumë për trajtimin e grevës dyjavore të shërbimit postar. Kjo grevë më pas u përhap edhe në kompaninë ajrore publike dhe në disa fusha të tjera të industrisë para se të përfundonte javën e kaluar.

Transmetuesi publik finlandez, YLE, duke cituar burime të paidentifikuara, tha se kryeministri do ta publikojë letrën e dorëheqjes më vonë sot. Tabloidi “Iltalehti” shkroi se shefi i qeverisë do ta dorëzojë letrën e dorëheqjes para një debati në kuvend.

Vendi po futet në krizë politike në një kohë shumë të papërshtatshme. Finlanda është duke e udhëhequr presidencën e Bashkimit Evropian dhe këtë detyrë do ta ketë deri në fund të vitit, duke pasur rol të rëndësishëm për hartimin e buxhetit të ri.

Udhëheqësja e Partisë së Qendrës, Katri Kulmuni, tha të hënën se partia e saj dëshiron të mbetet në koalicion, por e vuri në pikëpyetje rolin e kryeministrit në grevën e punëtorëve të sektorit publik.

Ajo tha: “Kryeministri është person të cilit grupi parlamentar i Partisë së Qendrës nuk i beson”, shkruan “Reuters”.

Shpërndaje në

U Kopjua