Kryeministri irakian, Adel Abdul Mahdi do të japë dorëheqje nëse partitë politike pajtohen për zëvendësimin e tij, ka thënë presidenti i këtij shteti, Barham Saleh, teksa po vazhdojnë protestat masive në këtë shtet.
Presidenti Saleh po ashtu ka thënë se është duke hartuar një ligj të ri, për të lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Dhjetëra mijëra persona kanë marrë pjesë në disa protesta këtë muaj në Irak, në kërkim të vendeve të punës, dhënien fund të korrupsionit dhe shërbimeve më të mira.
Më shumë se 250 persona janë vrarë në përleshjet me forcat e sigurisë.
Të paktën një person ka vdekur të martën, pasi është goditur nga një bombol gazi gjatë protestave në Bagdad, duke shënuar vdekjen e gjashtë në vetëm një javë.
Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International ka thënë se policia ka përdorur granata dhe armë të rënda kundër njerëzve.
Abdul Mahdi, politikan shiit, është bërë kryeministër irakian një vit më parë, duke premtuar reforma të thella.
Banorët thonë se ai ka dështuar të përmbushë zotimet që i ka dhënë.
Iraku ka një popullsi prej afro 40 milionë banorësh dhe është prodhuesi dhe eksportuesi i pestë më i madh i naftës në të gjithë botën, por shkalla e varfërisë së përgjithshme vlerësohet të jetë mbi 20 për qind.