Live

Kryesindikalisti i SBASHK-ut: S’jemi të kënaqur me pagat, por s’kemi zgjidhje

13:00 / 01 Mars 2023

Nga Kosova Live

Punëtorët e sektorit publik gjatë ditës së martë i kanë pranuar pagat, sipas ligjit që ka hyrë në fuqi në muajin janar të vitit 2023.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jashari, në një përgjigje për Demokracia.com ka mirëpritur shumën prej 100 euro për punëtorët e sektorit të arsimit.

Ai ka treguar se kërkesat e SBASHK-ut kanë qenë që koeficienti i Ligjit të Pagave të jetë prej 120 eurosh.

“Kërkesa jonë ka qenë të jetë koeficienti 120 euro, por ishte 100 euro. Mesatarja e arsimit para universitar është rreth 100 euro dhe neve na ka gëzuar shumë, se kemi një ngritje pozitive të pagës te çerdhet që kanë qenë shumë keq dhe tek punëtorët tekniko-ndihmës kemi një ngritje, tek punëtorët e arsimit kemi, 5, 6, 9 mesatarja është diku 100 euro, tek shkollat e mesme është afër 100. Nëse e marrim si tërësi është diku mesatarja 100 euro”, ka thënë Rrahmani.

Ai ka vlerësuar se sindikata që e drejton është e pakënaqur me këtë koeficient, por ka vlerësuar se nuk kanë pasur zgjidhje tjetër.

“Jemi në situatë të tillë. Ne si sindikatë i kemi pasur dy zgjidhje, edhe pse jemi tepër të pakënaqur, i kuptoj edhe punëtorët e arsimit, kanë pritur më shumë, por realiteti është ky. Kemi menduar më mirë të kemi një ndihmesë më në fund se sa herë që kemi bërë greva pikërisht për këtë ligj”.

“Tani kur e kemi këtë ligj, po besoj që më lehtë e kemi të angazhohemi që vlera e koeficientit të ndryshojë, aq më shumë ku ministri Hekuran Murati publikisht e ka thënë që në vitin e ardhshëm do të kemi një koeficienti 110 euro”, ka shtuar ai.

Kurse, një mësimdhënës nga Klina, gjatë ditës së martë është ankuar se në xhirollogarinë e tij janë shtuar vetëm 48 euro me Ligjin e ri të Pagës.

Për këtë ankesë, i pari i SBASHK-ut ka një përgjigje.

“Ai duhet të bëjë krahasimin e parave që i ka marrë në muajin janar dhe ti krahasojë me paratë që i merr në emër të pagës në muajin shkurt”, ka treguar Jashari, duke treguar se kryetarët e sindikatës nëpër komunat e Kosovës janë duke mbajtur shënime.

“Ne i kemi udhëzuar kryetarët tonë nëpër komuna dhe përfaqësuesit tonë në universitete të mbledhin shënime, të shohim. Pjesa më e madhe nuk besoj që ende nuk i ka marrë pagat me ligjin e ri. Pastaj do të bëjmë një analizë në komuna dhe do të shohim saktë. Ajo çka po dihet nga kolegët që kam biseduar është një ngritje mesatarisht 100 euro për secilin punëtor të punësuar në sektorin e arsimit”, është shprehur ai.

Rrahmani ka akuzuar ekzekutivin për moskoordinim me sindikatën të cilën ai e drejton, duke ia përmendur edhe numrin e ulëseve në Kuvendin e Kosovës.

“Jo. Ne kemi pritur që vlera e koeficientit dhe kemi insistuar vazhdimisht përmes mediave e deklaratave, nuk kemi pasur asnjë takim, nuk na është dhënë asnjëherë rasti të flasim me institucionet. Por, ne publikisht kemi thënë se vlera e koeficientit do të duhej të ishte 120 për të krijuar një mirëqenie pak më të mirë se kjo që e kanë punëtorët e arsimit. Por, qeveria gjithmonë duke i pasur votat ka vendosur që koeficienti të jetë 105, fati që dikur kemi pasur raporte të mira me MASHTI-in, kemi punuar vazhdimisht versionet e koeficientit dhe arsimi është vendosur në një pozitë goxha mirë me ligj, ku koeficienti 105 na ka siguruar një vlerë prej 100 euro që nuk është e mjaftueshme dhe nuk është ajo që kemi pritur”.

“Populli thotë më mirë diçka se hiç dhe më mirë të kemi një ligj ku ta ngrismi vlerën e koeficientit se sa të kthehemi në zero, pastaj të bëjmë protesta e greva për të njejtën gjë”, ka potencuar Jashari.

Ai ka vlerësuar se SBASHK-u nuk do të bëjë reagime, por secili mësimdhënës e ka të drejtën e reagimit në mënyrë individuale.

“Mund të ketë reagime individuale, por në mënyrë të organizuar institucionale përmes SBASHK-ut jo. Ne jemi në situatë të tillë dhe kemi konsideruar më mirë të kemi një ngritje prej 100 euro se sa të kthemi në pikën zero”, ka thënë në fund Jashari./

Shpërndaje në

U Kopjua