Live

Kurteshi: kolegjet private nuk po i regjistrojnë studentët në librat e amzës

15:22 / 24 Korrik 2019

Nga Kosova Live

Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se disa kolegje private në Kosovë nuk i kanë regjistruar studentët në librat amëz, që do të thotë se këtyre studentëve nuk iu njihen studimet. Deputeti nga Vetëvendosje, Ismail Kurteshi bëri të ditur të mërkurën se për të vërtetuar këtë ata kanë marrë një raport nga Ministria e Arsimit, i cili evidenton këto fakte shqetësuese.

“Sipas këtij raporti,viteve të kaluara kolegjet private dhe ato publike nuk i kanë dorëzuar librat amë me kohë dhe si rrjedhojë për disa studentë nuk mund t’iu njihet diploma”, ka thënë Kureshi.

Ai më tej ka deklaruar se pas kërkesës që kishin bërë deputetët e Kuvendit të Kosovës për një raport të detajuar, atë e kishin pranuar me një përshkrim nga shefi i kabinetit të ministrit, Faton Dushi, i cili kishte potencuar se probleme të tilla kishin trashëguar nga universitetet private dhe publike.

“Një studenti të paregjistruar në këto libra amë nuk i njihet diploma. Ata kanë besuar se po kryejnë studime, por ata kanë qenë të mashtruar. Ky kabinet i tanishëm kanë bërë përpjekje që ta mbajnë të fshehur këtë raport. Librat amë të dorëzuara në MASHT ose janë të paprotokolluara ose të pambyllura, por ka edhe të atilla që janë të rregullta. Kjo Qeveri bashkë me ministrin e Arsimit do të mbahet në mend për diskreditimin e arsimit, duke filluar nga largimi në EQAR, mungesës së marrëveshjes me SBASHK-un, mungesën e buxhetit për kërkime shkencore. Ne nga kjo ministri kërkojmë që të mos merr vendime që nuk i përkasin një qeverie që është në dorëheqje. Po ashtu kërkojmë që nëse këto raporte nuk janë të plota t’i publikojë të plota jo vetëm për universitetet private por edhe në ato publike”, ka thënë Kureshi në një adresim për gazetarë.

Ndryshe sipas Lëvizjes Vetëvendosje drejtues të Ministrisë së Arsimit do të mbahen mend për dëmet që i shkaktuar sistemit arsimor në vend.

Shpërndaje në

U Kopjua