Live

Kurti: Nxënësit e Kamenicës do ta kenë një shkollë që i plotëson kushtet për zhvillimin

12:36 / 13 Mars 2023

Nga Kosova Live

Sot është bërë vënia e gurthemelit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Fan S. Noli” në Kamenicë.

Në këtë ngjarje ka marrë pjesë kryeministri Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj.

I pari i ekzekutivit ka thënë se projektit që po i vihet gurthemeli sot ka të bëjë me ndërtimin e një shkolle moderne.

“Është kënaqësi të takohemi në këtë ditë kaq të bukur kur po vendosen themelet e një shkolle të re. Kësaj shkolle që mban emrin e një prej intelektualëve më të shquar. Përkujtimi i tij është simbolikë me domethënie të madhe. Projekti i kësaj shkolle është ai i një shkolle moderne. Do të ketë sipërfaqe prej 4500 metrave katrorë. Pas disa viteve shkollimi në kushte të papërshtatshme, nxënësit e Kamenicës do ta kenë një shkollë që i plotëson kushtet për rritjen dhe zhvillimin e tyre”.

Ministrja Nagavci ka bërë të ditur që si Qeveri e Kosovës, mbeten të përkushtuar në mbështetjen për zhvillimin e arsimit.

“Jemi të përkushtuar që të mbetemi në mbështetjen tuaj. Qe të ofrojmë një mësimdhënie bashkëkohore për fëmijët tanë”.

Ndërsa kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka theksuar se projekti në fjalë do të kushtojë 1.7 milionë euro.

“Projekti i kësaj shkolle ka 20 klasë, 5 kabinete, menzë, kuzhinë, palestra sportive dhe të gjitha elementet tjera të nevojshme. Ngrohja do të jetë një kombinim mes energjisë solare dhe biomasë”.

Shpërndaje në

U Kopjua