Live

Kurti për dinarin: Përkundër paralajmërimeve apokaliptike nga Beogradi, s’ka incidente në terren

12:10 / 28 Mars 2024

Nga Kosova Live

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur se vendimin për çështjen e euros si e vetmja valutë si mjet pagese në Kosovë e ka marrë Banka Qendrore e Kosovës dhe se ekzekutivi do ta mbështesë atë për aq sa kërkohet, shkruan Kosovalive.net.

Kurti sot para gazetarëve tha se e pavarësisht paralajmërimeve të Serbisë se çështja e dinarit po u shkakton vështirësi qytetarëve në veri të vendit, nuk ka incidente në terren.

“Për anëtarësim në Këshill të Evropës na prinë Ministria e Punëve të Jashtme e Diasporës, për çështjen e euros si e vetmja valutë si mjet pagese në Kosovë, na prin Banka Qendrore e Kosovës, ajo e ka marrë vendimin për rregulloren e re, ajo e ka bërë planin tremujor të tranzicionit me dhjetë hapa. Ne do ta mbështesim këtë plan për aq sa kërkohet ekzekutivi me dikasterët e vet. Jemi në rrugë të mbarë dhe është e qartë se përkundër paralajmërimeve apokaliptike nga Beogradi, praktikisht nuk ka incidente në terren”, tha Kurti sot.

Ai shtoi se në veri të Mitrovicës nëpër lokale po paguhet me euro.

“Edhe në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok e veri të Mitrovicës nëpër lokale paguhet me euro. Por gjithashtu edhe mos të harrojmë se janë mbi 33 mijë xhirollogari ku serbët i marrin ndihmat e tyre në valutën euro që ua jep Qeveria e Republikës së Kosovës. Ne nuk jemi për t’ua ndalur ndihmat që u vijnë edhe nga Serbia por nëse ato vijnë edhe në dinarë, duhet të bëhen euro në Kosovë”, është shprehur kryeministri.

Kosova dhe Serbia  të hënën kanë përfunduar edhe një rund bisedimesh, pa arritur përparim për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua më 1 shkurt në Kosovë.

Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajça ka paralajmëruar një takim tjetër për javën e ardhshme, ku shpreson se do të gjendet një zgjidhje.

Takimet e së martës ishin vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit. Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend. 

Shpërndaje në

U Kopjua