Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen e organizuar nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë, SPD, në hapësirat e Bundestagut gjerman, për nder të 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës.
Në fjalën e tij, Kurti rikujtoi se 75 vjet më parë, në prill të vitit 1949, u krijuan dy institucione që kanë transformuar historinë evropiane: NATO dhe Këshilli i Evropës, të cilat i cilësoi si shtyllat e paqes demokratike në Evropë.
Ai përmendi përjetimet e qytetarëve tanë në luftën për çlirim dhe pavarësi, e për të cilët lidhja me këto institucione perëndimore e demokratike ishte dhe që atëherë mbështetje për t’i ikur tmerreve të kohës.
Duke nënvizuar se vendi ynë aspiron dhe punon për anëtarësimin në NATO e Bashkimin Evropian, kryeministri Kurti tha se hapi i parë për bashkimin me demokracitë evropiane është anëtarësimi në Këshillin e Evropës.
“75 vjet nga krijimi i Këshillit të Evropës, 25 vjet që kur NATO, përfshirë Gjermaninë, shkoi në luftë për të mbrojtur dhe shpëtuar qytetarët e Kosovës nga tmerret e masakrave, vrasjeve, përdhunimeve dhe dëbimeve masive. 2024 është viti i duhur që demokracia e fundit në Evropë që nuk është ende anëtare e Këshillit të Evropës t’i bashkohet asaj”, u shpreh Kurti.
Në vijim, ai elaboroi rreth përkushtimit të vendit tonë për vlerat e parimet demokratike, sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut e vëmendjen ndaj nevojave të komuniteteve joshumicë.
Ai tha se në këto tri vjet qeverisje, kemi dëshmuar se zhvillimin socio-ekonomik dhe progresi demokratik shkojnë krah për krah.
Kryeministri u bëri thirrje miqve tanë gjermanë që ta mbështesin vendin tonë edhe në këtë hap të fundit të anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës, si vendi i 47-të anëtar.
Në fund falënderoi Bundestagun dhe SPD për mikpritjen, interesin, mbështetjen dhe rolin kyç demokratizimin e Evropës dhe për ndihmën e vazhdueshme.